TIRANE- Me pak fjalë zemre dhe plot dhimbje, ka reaguar për herë të parë Erenestina Halili, nëna e Klejdi Halilit, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti me motor bashkë me këngëtarin Ergi Dini. Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” gazetarja, poetja dhe pedagogia e Universitetit të Tiranës, Erenestina falënderon të gjithë ata që i qëndruan pranë në këto ditë të vështira, pas humbjes së djalit të saj të vetëm, 21 vjeç.

“E dashur mike, mik, i njohur, i panjohur, student/e, të afërm, pedagogë të tim biri, shoqe e shokë të tij, kolegë, lexues… Përulem ndaj dashurisë, respektit, mbështetjes, dhimbjes, lotit, njerëzisë suaj! Bota ende qëndron, se ka ende njerëz si ju! I lutem Zotit për çdo nënë, që derdhi lotë për tim bir, të ketë gëzim e paqë, t’i mbushet prehëri me nipa e mbesa! Bekuar qofshin vatrat tuaja! Era”, citohet në mesazhin e nënës së Klejdit.

Ngjarja e rëndë që u mori jetën dy të rinjve ndodhi rreth orës 21: 15 më 21 nëntor të këtij viti në kryeqytet, në bulevardin “Bajram Curri” ( ish- kinema Agimi) në drejtim të kryqëzimit të rrugës “Ibrahim Rugova”, që lidhet me zonën e ish- Bllokut.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb