Në orën 14:00 trupi i pajetë i 23-vjeçarit Rafael Tafaj do të lërë banesën në zonën e Kënetës në Durrës, për t’u kthyer në vendlindjen e tij në fshatin Cërrujë në Burrel, por kësaj here për t’u prehur përgjithmonë.

Familja e Rafaelit ishte shpërngulur në Durrës prej disa vitesh nga Burreli për një jetë më të mirë dhe shpresa e tyre ishte djali i vetëm, drita e syve.

Të afërmit e familjes Tafaj në prononcimet e dhëna për gazetaren Klodjana Haxhiaj e përshkruan Rafaelin, si djalin model. “Punonte e mësonte duke mbajtur në shpatulla që në vegjëli barrën e familjes. Duke qenë djali i vetëm i familjes, që në moshën 15-vjeçare Rafaeli ka punuar përgjatë sezonit të verës në zonën e Plazhit, duke shitur herë pije për pushuesit. Në vjeshtë i drejtohej shkollës dhe sa herë gjente mundësi për të punuar, të ardhurat i çonte në familjen e tij të varfër”, thanë ata.

Pasi mbaroi shkollën e mesme profesionale në Durrës, Rafaeli nuk pati mundësi të ndiqte studimet e larta, por u punësua si gomist. “Meqenëse e kishte punën afër banesës, prej 2 vitesh me pagën e tij mbante dy prindërit e moshuar, ndërsa një motër e kishte të martuar dhe jetonte jashtë”, tregojnë ata.
Të afërmit thanë se dy prindërit e tij të moshuar jo vetëm që tani janë zhytur në mjerim pasi humbën dritën e syve, por janë dhe në vështirësi të mëdha ekonomike e sociale, pasi nuk kanë shtëpi dhe të ardhura.

Kreu i PD Durrës Ferdinand Xhaferraj ka qenë pranë familjes së të riut për ngushëllim. “Si çdo familje shqiptare, nuk ka rëndësi ku është, në Durrës, në veri apo në jug të vendit që përpiqet të punojë me punë të ndershme, me shumë probleme ekonomike, djali kishte filluar të punonte që i vogël, një djalë shumë i mbarë. Janë nga ato raste që të lënë pa fjalë. Nuk ke çfarë i thua”, tha Xhaferraj.

Rafael Tafaj humbi jetën dje në punë, teksa rregullonte gomën e një kamioni, e policia ka arrestuar pas ngjarjes pronarin e këtij biznesi dhe ka proceduar penalisht shoferin e ambulancës, i cili thuhet se ka mbërritur vonë në vendin e ngjarjes, duke vonuar kështu edhe dhënia e ndihmës së parë për të riun.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb