NGA: KLODIANA LALA*
Ndonëse kanë kaluar tri vite nga fat keqësia e rëndë, familjarët e elektricistit Imer Sokoli, që humbi jetën teksa punonte për riparimin e një defekti teknik në kabinën elektrike të lagjes nr. 2 në Kukës, kanë vendosur të “trokasin” në dyert e gjykatës. Anjeza K., Arben Sokoli e Premtim Sokoli, familjarë të të ndjerit, kërkojnë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (Ish-CEZ Shpërndarje Sha), t’i dëmshpërblejë për humbjen e jetës së të afërmit të tyre. Përmes padisë civile me nr.61 84, familja Sokoli kërkon nga gjykata ta detyrojë OSHEE t’i dëmshpërblejë në shumën e 10 milionë lekëve për dëmin moral, biologjik dhe ekzistencial në lidhje me vdekjen e të afërmit të tyre, në aksidentin e datës 7 shtator 2013.

Konkretisht, atë ditë rreth orës 10.45 minuta në lagjen 2 të qytetit të Kukësit, elektricisti Ymer Sokoli, po punonte brenda në kabinën kryesore të rrjetit shpërndarës të qytetit të Kukësit, e cila ndodhet në lagjen nr.2. Në kohën kur 47-vjeçari punonte brenda kabinës elektrike, energjia ka qenë e stakuar, por papritmas banorët kanë dëgjuar dy shpërthime të fuqishme. Banorët kanë njoftuar kolegët e elektricistit, të cilët kanë ndërprerë energjinë elektrike dhe kanë nxjerrë nga kabina Imer Sokolin, duke e transportuar me urgjencë drejt spitalit.

Por, pavarësisht tentativave, gjithçka ka rezultuar e pasuksesshme. Mjekët kanë konfirmuar se vdekja e tij ka qenë e menjëhershme nga kontakti me energjinë elektrike. Familjarët e elektricistit që humbi jetën në punë, kërkojnë gjithashtu që pala e paditur, OSHEE, t’u paguajë edhe kamatat ligjore dhe shpenzimet gjyqësore e avokatore. Gjykatësi Julian Haxhiu pritet të marrë në shqyrtim kërkesëpadinë për të vendosur nëse do ta shpërblejë familjen e Imer Sokolit.

PADIA E DYTË
Një tjetër padi ndaj Operatorit të i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është depozituar në kryesekretarinë e gjykatës së Tiranës, përgjatë dy javëve të fundit. Janë familjarët e të ndjerit Gjon Prendi, që kërkojnë gjithashtu dëmshpërblim në shumën e 5 milionë lekëve për humbjen e jetës së të afërmit të tyre. Paditësit, Bardhe Prendi, Lize C., Rine Prendi e Rrok Prendi bëjnë përgjegjës OSHEE për humbjen e jetës së Gjonit, ndaj kësisoj kanë vendosur të ndjekin çështjen në rrugë gjyqësore. Gjon Prendi humbi jetën më 22 shkurt 2013 në fshatin Qelëz të Pukës, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. Padinë e familjes Prendi do ta shqyrtojë gjykatësi Ilir Mustafaj.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: