Nga sot në hyrje të Spitalit të Sëmundjeve te Brendshme në QSUT do të hijeshojë një pemë ulliri, me një mbishkrimin të skalitur në një pllakë druri, ku shkruhet “Dr Geri, gjithmonë midis nesh”.

Kanë qenë kolegët, shokët, miqtë e mjekut të mirënjohur endokrinolog që e kanë kujtuar atë me një gjest simbolik pas vdekjes por që flet më shumë se një mijë fjalë, dhe po aq dëshmojnë fytyrat e tyre të pikëlluara dhe sytë e lotuar që nuk u janë tharë.

Babai i mjekut të ndjerë Geron Husi, që humbi betejën nga Cvid-19, ka thyer për herë të parë heshtjen me një apel të drejtpërdrejt dërguar qeverisë.

Me brengën e madhe në shpirt, babai i Dr. Gerit kërkon që mjekët të mos lëvdohen vetëm me fjalë të mira pas vdekjes, por të shpallen dëshmorë të atdheut, pasi humbën jetën në luftë nga armiku i padukshëm.

Në datën 13 mars 2021, Dr. Geron Husi humbi betejën me virusin vrasës Covid-19, ndërsa ndodhej i shtruar në Turqi, ku ishte dërguar me shpenzimet e familjes.

Mjeku Geron Husi është një nga dhjetëra mjekë, infermierë dhe personel ndihmës, që humbën jetën në krye të detyrës nga Covid-19.

Në 24 shtator 2020 sindikata e punonjësve të shëndetësisë i kërkoi ministrisë së linjës, si dhe kryeministrit Edi Rama, që të shpallë dëshmorë të atdheut punonjësit e shëndetësisë që humbën jetën nga Covid-19 në krye të detyrës. Deri më tani qeveria ka zgjedhur heshtjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb