Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka publikuar videomesazhin e gazetares së njohur Jonida Shehu, e cila humbi nënën për shkak të COVID-19. Në mesazhin e saj gazetarja Jonida Shehu, rrëfen për humbjen e dhimbshme, teksa vë theksin tek vaksinimi ndaj COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit.

“Është shumë e freskët koha e këtij COVID-i fatal në familjen tonë. Në të gjitha mendimet që më vijnë këto ditë pas ikjes së mamit është vetëm një konstante, që asnjëherë unë nuk mendova që do të ikte nga COVID-19. Pas nënës time unë kam pasur në familje edhe njerëz të tjerë që janë infektuar, që për fat të mirë ishin vaksinuar, nuk e kaluan të thjeshtë COVID-in, por sot janë! Dhe kjo më mjafton për të menduar që shtyja e kohës së vaksinës ishte besoj një gabim”, rrëfen Jonida Shehu.

Duke treguar eksperiencën e saj familjare, gazetarja u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen ndaj COVID-19 sa më parë.

“Mundësia që vaksina të të shtojë qoftë edhe një përqindje pro armëve të tua në raport me virusin, duke marrë parasysh se sa i tmerrshëm është dhe se sa i paparashikuar është ai, ja vlen! Nuk është nesër koha e duhur, është sot ose dje nëse mundesh. Mbase, mbase gjërat do të kishin rrjedhur ndryshe nëse do ta kisha menduar kështu para pak muajsh”, -tregon Shehu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për të rritur me tej sensibilizimin për rëndësinë e vaksinimit ndaj COVID-19.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb