Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Durrësit, Igli Cara, i cili nuk arriti që të fitonte dot përballë socialistes Emirjana Sako, ka thyer heshtjen me një reagim.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, shprehu mirënjohje për mbështetjen, shtoi se vullneti i qytetarëve është tjetërsuar.

REAGIMI
Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje!
Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e procesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis.
Faleminderit me zemër!
#IgliCara

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb