Skuadrat e kreut në NBA, si në Konferencën e Perëndimit, ashtu edhe të Lindjes, kanë pësuar humbje, por pa lëvizur në renditje. Ekipi i Denver ruan kreun e renditjes në Perëndim pavarësisht humbjes së thellë pësuar ndaj Minnesota, 128-98.

Një ndeshje ku kolektiviteti i ekipit vendës bëri diferencën në fushë, me 56 pikë që u realizuan nga lojtarët e stolit. Te Nuggets u ndje mungesa e Nikola Jokic, që humbën mundësinë të bëheshin skuadra me më shumë fitore gjatë këtij sezoni.

Gjithashtu, edhe skuadra e dytë në renditje, Memphis, humbi në shtëpi. Toronto Raptors falë kolektivitetit, ku 7 lojtarë shënuan mbi 10 pikë, fitoi 106-103 ndaj Grizzlies, me këta të fundit që pësuan disfatën e tretë radhazi.

Në Lindje, është New York Knicks që mundi 108-97 Philadelphia-n, duke konsoliduar pozitat në zonën play off. Randle me 24 pikë e Brunson me 21 bënë diferencën për njujorkezët, duke i bërë të pavlefshme 31 pikët e 14 rebound të Joel Embiid për miqtë. Gjithsesi, Philadelphia mban vendin e tretë. Ndërsa Orlando Magic mundi 119-113 Charlotte Hornets, ndeshje ku u dallua Banchero me 22 pikë e 10 rebound.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb