Edi Martini nuk është më trajneri i Teutës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë tekniku nëpërmjet rrjeteve sociale, duke bërë të ditur se nuk ishte më në pankinën e skuadrës durrsake. Nëpërmjet një postimi, ai ka shpjeguar se nuk do të ishte më në stolin e kësaj skuadre.

POSTIMI I EDI MARTINIT

Sot pas humbjes me Partizanin, duke marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete dhe duke parë ecurinë jo të mirë në këto javë, i kam kërkuar presidentit Hasanbelliu dorëheqjen time.

Duke e falënderuar pa fund presidentin Hasanbelliu për mundësinë dhe besimin që më dha jam dhe do i jem mirënjohës për gjithë jetën time. Falënderoj pa fund të gjithë lojtarët me të cilët kam punuar këto 2 vjet për kënaqësinë që më kanë dhënë për trofetë që kemi fituar së bashku këto 2 vite.

U them që jeni një pjesë e rëndësishme e jetës sime sportive. Falënderoj shefin e klubit Enid Furxhi, drejtorin teknik Renato Arapi, kolegët e mi Bledar Rizvani, Bledar Hodo dhe padyshim atë që rri gjithmonë pas kuintave, por që është një ndër kryesorët në sukseset tona, Eduard Salillari.

Duke falenderuar pa masë edhe tifozët durrsakë, që më kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj periudhe, ju uroj gjithë të mirat e kësaj bote. Jam i sigurt që kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim dhe nuk mund ta mbyll këtë shkrim pa u thënë lojtarëve të mi që ashtu si ia dolem vjet, mund t’ia dilni edhe sivjet, sepse ju jeni kampionë, mos e harroni këtë. Me shumë respekt, EDI MARTINI!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb