“Vetoja franceze e më pas vetoja bullgare i rrënuan të gjitha pozicionet e Zaev në politikën e brendshme”. Kështu mendon analisti nga Shkupi Xhelal Neziri, i cili në një lidhje ‘live’ me “Real Story” në News24 foli për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, raundi i dytë i të cilave u mbajt dje më 31 tetor, teksa partia e kryeministrit Zoran Zaev pësoi humbje.

Mbrëmjen e djeshme, për shkak të rezultatit, Zaev dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe ai i kryetarit të partisë.
Analisti Neziri tha se nuk ka një fitore të VMRO, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, por ka një rënie të LSDM.

“Nuk kemi një fitore të VMRO duke u bazuar në rritje të saj, por fitore si pasojë e rënies së LSDM. VMRO ka rënie prej 50 mijë votash nga zgjedhjet e kaluara. LSDM ka rënien më të madhe nga 2017 më mbi 200 mijë vota.
Nuk është përherë rezultat i njëjtë kur qytetarët votojnë për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Bllokimi i integrimit të vendit në BE, bllokimi i hapjes së negociatave për këtë integrim aq të pritur, për këtë integrim për të cilin Zaev sakrifikoi dhe vuri në rrezik karrierën dhe jetën e tij, bëri marrëveshjen më të dhimbshme me Greqinë dhe Bullgarinë dhe këto në fund bënë që Zaev të mos dilte si vizionar. Vetoja franceze e më pas vetoja bullgare i rrënuan të gjitha pozicionet e Zaev në politikën e brendshme”, tha Neziri.

Sipas tij, dorëheqja e Zaev mund të shikohet si një lëvizje taktike.
“Besoj se po, është një lëvizje taktike, e paramenduar që para raundit të dytë, ku deklaroi se po nuk fitoi qytetin e Shkupit dhe komunat kryesore, do të dorëhiqet. Ai lë dhe BE dhe SHBA pa një partner serioz dhe pa një partner të guximshëm i cili do të bëjë ato marrëveshjet e mëdha, historike. Zaev e ka pasur atë guxim të bëjë një marrëveshje me Greqinë, po ashtu dhe me Bullgarinë dhe ishte i gatshëm të bënte një marrëveshje me Bullgarinë për historinë para Luftës së Dytë Botërore”, tha analisti.
Sa i përket ndikimit të partive dhe forcave të tjera nga vendet e tjera, Neziri tha se nuk përjashtohet si mundësi, duke analizuar disa parti në Maqedoninë e Veriut.
“Është fakt që në gjeopolitikë nuk ka vakum, çdo hapësirë që lihet nga një fuqi, zihet nga një fuqi tjetër. Nuk përjashtohet mundësia që dhe VMRO-DPMNE dhe parti të tjera shqiptare, aleancat e tyre me parti simotra jashtë vendit të kenë ndihmuar në këto rezultate. VMRO është pjesë e partive të djathta PPE, që deri para disa muajsh ishte dhe grupimi i Orban. Kemi një bashkëpunim gati të hapur të lëvizjes Besa dhe disa partive të tjera më të vogla, me partinë e zotit Erdogan. Nuk shihet si diçka që do zvogëlonte mbështetjen e këtyre partive nga mbështetësit, përkundrazi. Tetova ishte një zonë, një fushëbetejë e ashpër kur nuk besohej që një parti e cila deri para një viti luftonte për mbijetesë të fitojë”, tha ai.

Lidhur me arsyet e rezultatit në Tetovë, ku partia BDI e Ali Ahmetit nuk mundi të fitonte ai tha se ka disa shkaqe.
“Sigurisht dhe djegia e spitalit. Ka disa probleme jetike për qytetarët e Tetovës që nuk kanë gjetur zgjidhje, është furnizimi me ujë, rrugët apo çështja e parkimeve”, u shpreh analisti.
Por pse humbi LSDM zgjedhjet? Neziri thotë se janë dy shkaqet. “LSDM e vuri theksin tek arritja e rezultateve në politikën e jashtme, anëtarësimi në NATO pas marrëveshjes me Greqinë dhe më pas hapja e negociatave. E gjithë energjia u fokusua tek politika e jashtme. Dështimi në këtë plan ishte një goditje e rëndë për Zaev.
Po ashtu dhe mungesa e performancës së kryetarëve të komunave nga partia e Zaev, i cili në zgjedhjet e kaluara mori shumicën e tyre dhe VMRO mori vetëm 5. Nuk ka përmbushur si duket pritshmëritë e qytetarëve”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb