Nuk ishte dita më e mirë për Laçin. Kurbinasit u mposhtën 2-1 nga Partizani, në takimin e elitës që shkoi për llogari të Superligës. Pas takimit, trajneri i laçjanëve, Mirel Josa pranoi se skuadra nuk luajti mirë dhe lë të kuptojë se ekipi ka mjaft probleme.

“Problemi s’është të rivalët, por te vetja jonë. Problemin duhet ta gjejmë te vetja jonë. Bëmë mirë në Kupë krahasimisht me ndeshjet e tjera, sidomos luftën sportive, ne sot në pjesën e parë bëmë hap pas. Partizani, përveç golit që bëri në momentin që e shënoi Bitri, ishte një markim jo i mirë në zonën e rreptësisë. Ne kishim linjat larg njëra-tjetrës.

Mendoj që pjesa e parë ishte shumë negative. Kishim një hapje të lojës në largësi shumë të madhe. Humbëm shumë herë ekuilibrat. U goditëm në momentin më të mirë për një pakujdesi tonën. Pastaj Partizani kishte ndjeshmërinë dhe e menaxhoi situatën ashtu si duhet.

Goli ishte pozicion jashtë loje dhe s’dua ta diskutoj. Më vjen keq për rastin e Veliajt në pjesën e parë, mund të kishte shënuar nëse do të kishte qenë më i shpejtë. Ne nuk meritonim pikë, sidomos me mënyrën se si luajtëm në pjesën e parë.

Pozicionimi- Jam dakord që vendosja e golit të parë, ishte e gabuar. Aty duhet një ngjeshmëri dhe duhet kontrolluar më tepër kundërshtari. Këto gjithmonë janë raste të veçanta dhe përfundojnë gjithmonë gol kur shërbimi është i mirë. Te momenti i penalltisë duhet të ishim shumë të kujdesshëm. Ne u mundëm sot nga një skuadër që ka luajtur 24 orë pas nesh. Problemi është si të korigjojmë gabimet. Unë e kam thënë që këtë periudhë s’luhet më jashtë dhe brenda. Ekipet luajnë jashtë fushës së tyre” – tha ai.

Ekipi i Mirel Josës renditet në vendin e dytë me 46 pikë. Sfida e radhës është me Vllazninë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb