Boris Johnson ndoshta është politikani që është përballur me më shumë kriza që i kanë rrezikuar pushtetin gjatë qeverisjes së tij, të cilave i ka shpëtuar me sukses, por humbja në dy bastipone konservatore në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara dje duket se do të ketë kosto të rëndë politike për të.

Konservatorët kanë pësuar një goditje të madhe dhe të papritur me humbjet që u shoqëruan me rezultat katastrofik në Wakefield dhe Tiverton, çka solli dhe dorëheqjen e kryetarit të tyre Oliver Dowden.

Pas letrës së dorëheqjes ku nuk i kurseu ‘thumbat’ ndaj kryeministrit, Boris Johnson ka marrë në dorë situatën duke i thënë Doëden se ai e kupton zhgënjimin e tij me rezultatet e zgjedhjeve të brendshme.

“Ndërsa e kuptoj plotësisht zhgënjimin tuaj me rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme, kjo qeveri u zgjodh me një mandat historik pak më shumë se dy vjet më parë për t’u bashkuar dhe për t’u ngritur. Pres me padurim të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë”, tha Johnson në fjalën e tij duke theksuar se do t’i dëgjojë votuesit por që nuk ka ndërmend të heq dorë nga pushteti.

Nga Ruanda, ku ndodhet për një samit të Komonuelthit, Johnson u mbrojt duke thënë se rezultati i dobët i konservatorëve në votime ishte kryesisht për shkak të krizës së kostos së jetesës, duke refuzuar të merrte përgjegjësitë e tij si lider.

“Unë mendoj se si qeveri duhet të dëgjojmë se çfarë thonë njerëzit, veçanërisht vështirësitë me të cilat përballen njerëzit lidhur me koston e jetesës, që mendoj se për shumicën e njerëzve është çështja numër një. Tani po përballemi me presione mbi koston e jetesës, po shohim rritje të çmimeve të karburantit, kostove të energjisë, kostove të ushqimit – kjo po godet njerëzit”, theksoi Johnson.

Por në radhët e Partisë Konservatore, duket se Johnson nuk gëzon më mbështetjen e dikurshme.

Ministrja e Brendshme, Priti Patel edhe pse krahu i djathtë i Johnson u bë sot anëtarja e parë e kabinetit që foli, duke thënë se është “e rëndësishme dhe e drejtë” që konservatorët të kenë një “moment reflektimi” pas rezultateve të zgjedhjeve të brendshme.

“Është e drejtë që ne të dëgjojmë votuesit nga të dyja këto zona, është e drejtë që ne të vazhdojmë me shërbimin tonë ndaj tyre, por edhe të njohim çështjet që ata vetë po ngrenë dhe i kanë ngritur”, tha Patel.

Edhe pse nuk e kritikon hapur apo nuk bën thirrje që Boris Johnson të dorëhiqet, fjalët e saj nuk është se përmbajnë edhe ndonjë miratim të drejtpërdrejtë për kryeministrin.

Ndërkohë në përditësimin e saj të fundit të drejtpërdrejtë, redaktorja politike e Sky në Britani, e cila po ndjek hap pas hapi zhvillimet tha se pyetja e madhe sot është se si anëtarët e tjerë të kabinetit do reagojnë ndaj rezultateve të zgjedhjeve, dhe më e rëndësishmja për dorëheqjen e bashkëkryetarit Oliver Dowden.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb