Kryeministri hungarez, Viktor Orban në një deklaratë theksoi se Hungaria nuk do ta mbështesë më Ukrainën në asnjë çështje në forumet ndërkombëtare.

“Ky qëndrim do të jetë i vlefshëm derisa Kievi të rivendosë të drejtat që qytetarët hungarezë kanë në territorin e Ukrainës,” tha Orban.

Budapesti akuzon Kievin se të drejtat për rreth 150,000 qytetarë me origjinë hungareze që jetojnë në Ukrainë janë kufizuar, ata nuk mund të përdorin gjuhën e tyre amtare, veçanërisht në arsim. Deklarata vjen pasi Ukraina miratoi një ligj në vitin 2017, i cili vendosi kufizime në përdorimin e gjuhëve të pakicave në shkolla.

Kohët e fundit Ukraina ka qenë në konflikt me fqinjët e saj perëndimorë, përkatësisht Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, për eksportet e grurit. Ukraina paraqiti një apel në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë për refuzimin e tyre për të hequr ndalimin e importit të produkteve të saj bujqësore.

Siç kishte raportuar Ministria e Financave e Ukrainës, Kievi i konsideron këto ndalime shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të këtyre vendeve anëtare të BE-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: