Hungaria mund të mbyllë plotësisht kufirin me Serbinë, për të ndaluar fluksin e migrantëve në territorin e saj, ka paralajmëruar kryeministri hungarez, Viktor Orban. “Nuk është e drejtë të na dërgojnë migrantë. Duhet t’i ndalojnë në territorin serb”, ka thënë Orban, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Ai po ashtu ka thënë se është planifikuar një takim me autoritetet serbe në fillim të muajit korrik.

“Po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë, përfshirë edhe mbylljen komplete të kufirit”, ka thënë Orban, duke shtuar se vendimi do të merret më 17 qershor.

Sipas të dhënave të Qeverisë hungareze, 95 për qind e migrantëve arrijnë në Hungari përmes Serbisë, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Rreth 75 për qind e tyre janë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, të cilët ikin nga konfliktet në vendet e tyre.

Në janar dhe shkurt të këtij viti, në Hungari po ashtu ka hyrë numër i madh i shtetasve kosovarë, të cilët janë larguar për shkak të situatës ekonomike.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb