HUNGARI

Hungaria nuk e ka shkelur sovranitetin e Maqedonisë dhe nuk ka kurrfarë lidhje me arratisjen e ish kryeministrit Gruevski. Kështu thotë shefi i kabinetit të qeverisë hungareze. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se askush nuk i dorëzon raporte ditore se ku gjendet Gruevski dhe se ai nuk ka mbrojtje sociale, përveç që ka të drejtë për shërbime që parashihen në Ligjin për emigrantë.

“Pyetët nëse Gruevski në Maqedoni ka udhëtuar me automjet diplomatik të Hungarisë? Nuk kam njohuri, por vë bast se nuk ka udhëtuar me automjet të tillë dhe ne nuk kemi asgjë me largimin e tij nga vendi, nuk jemi të përfshirë në këtë”- u shpreh Gerili Guliash, shef i kabinetit të qeverisë hungareze.

Në të njëjtën linjë, në intervistë për agjencinë AFP është edhe shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto i cili përsëriti se është gënjeshtër që Hungaria i ka ndihmuar Gruevskit të largohet nga Maqedoni.

“Për herë të parë këtë fenomen e kemi pasur kur ai u paraqit në ambasadën tonë në Tiranë. Ishte hera e parë kur u njoftuam me këtë rast. Nuk kemi kurrfarë lidhje me atë se si është larguar nga Maqedonia dhe me të vërtetë është skandaloze që disa media ndërkombëtare sugjerojnë se ne kemi pasur rol këtu, që kategorikisht nuk është ashtu”- u shpreh Peter Sijarto, ministër i jashtëm i Hungarisë.

Por, pohimet e këtilla të shefit të kabinetit të Orban janë në kundërshtim me njohuritë zyrtare të deritanishme të palës maqedonase se Gruevski është arratisur nga Maqedonia me automjet zyrtar të Hungarisë. Informacionet e njëjta erdhën edhe nga raportet policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Në ndërkohë, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, në intervistë për televizionin nacional, u përgjigj ndaj habisë së kryeministrit Zaev se si mundet katër shtete kanë lejuar arratisjen e Gruevskit. Ai porositi kryeministrin se vet Maqedonia patjetër duhet të përgjigjet në pyetjen pse nuk është shpallur urdhër- arrest ndërkombëtar.

Si lejoi Maqedonia mike që Gruevski të largohet? Ky nuk është obligimi jonë, por i tyre. Gruevski kaloi nëpër Mal të Zi në mënyrë krejt ligjore, në bazë të dokumenteve personale që i ka poseduar. Ka hyrë në Mal të Zi e më pas edhe në Serbi. Në atë moment, me të dhënat me të cilat ka poseduar Mali i Zi, për Gruevskin nuk është shpallur urdhër- arrest ndërkombëtar”- theksoi Dushko Markoviq, kryeministër i Malit të Zi.

Dhe përderisa nga fqinjësia vijnë informacione të ndryshme lidhur me arratisjen e Gruevskit, MPB nuk zbardh deri ku ka arritur hetimi i brendshëm dhe ku janë detektuar lëshimet. Përgjigja edhe më tej është e njëjtë gjegjësisht se hetimi po zhvillohet. Por, pikërisht mbi Ministrinë e brendshme bie pjesa më e madhe e përgjegjësisë, thotë ish kryeshefi i institucionit, Lubomir Gjurçevski. Shton se është absurde që fajtorët të kërkohen në Shqipëri, Mal të Zi apo Serbi.

“Mua më shqetëson fakti që institucionet ndërkombëtare gjegjësisht perëndimore, disi sikur nuk duan t’i japin kësaj çështje rëndësi të veçantë apo të bëjnë presion ndaj Hungarisë që ta kthejë personin e gjykuar që ta vuaj dënimin këtu gjegjësisht t’i përfundojë të gjitha proceset tjera. Nëse ndodh ndonjë presion më i fuqishëm nga SHBA dhe BE ndaj Hungarisë, ka mundësi që të kthehet, por jo para tre viteve për shkak se ky azil mund të revidohet sipas Ligjit të Hungarisë pas përfundimit të tre viteve të para”- pohoi Lubomir Gjurçevski, ish kryeshef i MPB-së, raporton Alsat.

Për Gjurçevskin, është simptomatike që ministri i brendshëm Spasovski deri më tani nuk ka kërkuar përgjegjësi nga drejtori i Byrosë për siguri publike, në rast kur paraprakisht Laze Vellkovski për skandal më të vogël gjegjësisht për abuzim të automjetit zyrtar “Xhip”, u shkarkua nga funksioni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: