Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim të enjten, duke ndalur një luftë 11-ditore që shkaktoi vdekjen e mbi 200 njerëzve, shkatërrim të gjerë në Rripin e Gazës, dhe bllokoi aktivitetet në pjesën më të madhe të Izraelit.

Në orën 2 të mëngjesit të së premtes, sipas kohës lokale, ndërsa hyri në fuqi armëpushimi, jeta u kthye në rrugët e Gazës. Njerëzit dolën nga shtëpitë e tyre, disa prej tyre duke kënduar dhe fishkëllyer nga ballkonet e shtëpive. Shumë njerëz qëlluan me armë në ajër, duke festuar armëpushimin.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se që nga fillimi i luftimeve më 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë dhe më shumë se 1,900 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite. Izraeli ka thënë se ka vrarë të paktën 160 luftëtarë në Gaza.

Sipas zyrtarëve izraelitë, 12 vetë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve me raketa nga Hamasi dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Ashtu si tre luftërat e mëparshme midis dy armiqve të hidhur, raundi i fundit i luftimeve përfundoi pa ndonjë zgjidhje të konfliktit. Izraeli pretendoi se u ka shktatuar dëme të mëdha Hamasit, por përsëri nuk ishte në gjendje të ndalonte breshëritë e raketave të grupit militant islamik. Pothuajse menjëherë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përball me akuza nga baza e tij e vijës së ashpër, të krahut të djathtë se ai e ndaloi operacionin ushtarak shumë shpejt.

Hamasi, grupi militant islamik që është betuar për shkatërrimin e Izraelit, gjithashtu pretendoi fitoren. Por tani përballet me sfidën e madhe të rindërtimit në një territor tashmë që vuan nga varfëria, niveli i lartë i papunësisë dhe përhapja e koronavirusit.

Armëpushimi u përshëndet edhe nga Presidenti amerikan Joe Biden, i cili falenderoi qeverinë e Egjiptit për rolin vendimtar në arritjen e marrëvëshjes. Presidenti Joe Biden tha të enjten se ai sheh një “mundësi të mirëfilltë” drejt qëllimit më të madh për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu tha se Shtëpia e Bardhë ishte angazhuar intensivisht për të ndalur gjakderdhjen. “Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë”, tha Presidenti Biden. “Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi.”//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb