Hyn në fuqi nga sot zbatimi i hartës së re gjyqësore, duke nisur kështu funksionimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në muajin dhjetor Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin që gjykata e Apelit të ketë 78 gjyqtarë në strukturë, duke i përqendruar të gjithë në kryeqytet.

Sipas KLGJ me këtë numër në përbërje llogaritet që secili prej tyre të shqyrtojë mesatarisht 217 dosje në rang vendi.

KLGJ shkriu 18 gjykata duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjës dhe duke lënë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se përgjatë periudhës tranzitore, nga momenti kur qeveria e miratoi hartën e re gjyqësore pavarësisht kundërshtimeve të forta që pati nga grupet e interesit, kryesisht avokatët duke pretenduar se kjo hartë e re gjyqësore cenon haptas liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe e ngarkon qytetarin me një barrë më të rëndë duke e larguar atë nga drejtësia, harta e re gjyqësore tashmë është fakt dhe në këtë periudhë tranzitore është bërë dhe kalimi i dosjeve nga gjykatat që janë shkrirë në drejtim të gjykatave që do të funksionojnë.

Kryesisht janë shkrirë gjykatat e rretheve të vogla gjyqësore të cilat do të funksionojnë pranë gjykatave më të mëdha, për rrjedhojë duke u shkrirë gjykatat, shkrihen në këtë mënyrë dhe prokuroritë.

Ndërkohë sa i përket Apelit, që ka qenë dhe kundërshtimi më i madh nga grupet e interesit, nga gjashtë gjykata Apeli do të funksionojë vetë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Gjykata e Apelit në Vlorë, në Gjirokastër, në Korçë, në Shkodër dhe në Durrës janë shkrirë tashmë dhe të gjitha dosjet gjyqësore janë transferuar dhe grumbulluar në këtë gjykatë të vetme që do të funksionojë deri në një moment të dytë pasi të ketë përfunduar procesi i vettingut për gjyqtarë dhe prokurorë sepse duhet pasur në konsideratë që harta e re gjyqësore u konceptua dhe miratua nga KLGJ për shkak të humbjeve të mëdha që pati sistemi i drejtësisë në gjykatës dhe prokurorë për shkak të procesit të vettingut.

Duke qenë se gjykatat e vogla kryesisht, por edhe gjykatat e Larta u boshatisën tërësisht dhe mbetën vetëm me një apo dy gjyqtarë, në këto kushte duke mos pasur mundësi për të deleguar moment pas momenti gjyqtarë dhe prokurorë për të shqyrtuar dosjet dhe për t’i hetuar ato u vendos të konceptohej dhe miratohej kjo hartë e re gjyqësore nisur nga disa kritere. Largësia e qytetarëve nga gjykata, çështjet që ata kishin, numrin e gjyqtarëve, por gjithashtu edhe duke marrë në konsideratë dhe disa elementë të tjerë si numrin e popullsisë.

Edhe pse harta e re gjyqësore është pritur me kundërshtime të forta, tashmë ajo ka nisur zyrtarisht të funksionojë dhe ka hyrë në fuqi ditën e sotme.

Numri i dosjeve
Dosjet janë grumbulluar tashmë zyrtarisht sipas burimeve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Numri i dosjeve aktualisht është 32 mijë të tilla. Pritet që brenda një afati të shkurtër këto dosje të shqyrtohen.

Të gjitha ato dosje që janë në shqyrtim do të vijojnë procesin nga e njëjta trupë gjykuese apo gjyqtar, pra nuk do të rishortohen. Dosjet e reja që do të vijnë do të nisin fillimisht me rishortimin e tyre, ku do të bëjnë pjesë të gjithë gjyqtarët dhe më pas do të shpërndahen në varësi dhe të ngarkesës që secili gjyqtar ka.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë sigurisht ka ambiente të vogla dhe për këtë arsye është punuar gjatë 3-4 muajve të fundit që një pjesë e bodrumit të saj apo edhe ambiente shtesë të përshtaten si zyra për gjyqtarët apo edhe arkiva për të vendosur numrin e madh të dosjeve, një numër shqetësues në fakt duke pasur parasysh se numri i gjyqtarëve është tejet i ulët në raport me organikën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb