TIRANË- Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe si Vettingu, i miratuar në seancën e 30 gushtit vetëm nga maxhoranca hyn sot në fuqi.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vendosi të mos e hedhë firmën e tij mbi këtë ligj, duke bërë kështu që ai të hyjë në fuqi automatikisht.

Presidenti këto ditë ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa 20 shtatori ishte afati i fundit ligjor që ai kishte në dispozicion për t’u shprehur përmes dekretit.

Sipas Kushtetutës, kur kalohet afati prej 20 ditësh, brenda të cilit Presidenti duhet të shprehet, ligji konsiderohet i dekretuar dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

Neni 84 i Kushtetutës thotë se: “Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni”.

Kuvendi miratoi më 30 gusht, gjatë një seance të jashtëzakonshme, pr/ligjin “për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili parashikon të vlerësojë përgatitjen profesionale, integritetin moral, si dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokuroreve shqiptare nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.

Opozita e braktisi votimin në shenjë kundërshtimi ndaj pr/ligjit, të cilin e konsideroi “antikushtetues”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb