Ka hyrë në fuqi masa e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për ndalimin e udhëtimeve drejt SHBA-së nga 26 vende të Evropës.

Kjo ndalesë vlen për të gjithë shtetasit jo-amerikanë të cilët në 14 ditët e fundit kanë vizituar ndonjë vendet të Zonës Shengen.

Kjo masë ka për synim të parandalojë përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

Në SHBA, janë konfirmuar rreth 2 mijë raste me koronavirusin e ri dhe 43 vdekje.

Presidenti Trump shpalli emergjencë kombëtare të premten, gjë e cila lejon që 50 miliardë dollarë të shfrytëzohen nga shtetet dhe qeveritë lokale për t’u përballur me koronavirusin e ri.

Në SHBA, ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar një projektligj – i cili pritet të shndërrohet në ligj pas nënshkrimit nga presidenti Trump – i cili do të ofrojë testime falas për Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi. Po ashtu ky legjislacion do të paguajë qytetarët të cilët do të detyrohen të marrin pushim nga puna për shkak të koronavirusit.

Legjislacioni, i cili do të dërgohet në Senat javën e ardhshme, është mbështetur nga presidenti, Donald Trump./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb