SHBA

Mbyllja më e gjatë në historinë e qeverisë amerikane përfundoi të premten kur Presidenti Donald Trump shtyu kërkesën e tij për financimin e një muri përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, duke nënshkruar një ligj financimi tre-javor për rihapjen e agjensive qeveritare dhe për rikthimin në punë të 800 mijë punonjësve federalë. Zyra për Menaxhimin dhe Buxhetin u dërgoi mbrëmë vonë një memorandum agjensive të mbyllura federale për t’i informuar se tashmë janë të hapura dhe se punonjësit mund të rikthehen në punë. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, financimi afatshkurtër synon t’u japë kohë ligjvënësve të trajtojnë çështjen e sigurisë kufitare.

Fluturimet ajrore pësuan vonesa përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, pasi punonjësit e papaguar të sistemit të kontrollit ajror filluan të mos paraqiten në punë…

E premtja shënoi edhe rrogën e dytë të humbur për punonjësit federalë, pas dy përpjekjeve të dështuara të Senatit për të rihapur qeverinë.

Ky akumulim problemesh detyroi Presidentin Trump të rihapë qeverinë deri më datën 15 shkurt, por pa një financim për murin kufitar.

“Gjatë 21 ditëve të ardhshme, pres që si demokratët edhe republikanët do të veprojnë në mirëbesim. Kjo është një mundësi për të dyja palët të punojnë së bashku për të mirën e kombit tonë të pacënuar, të bukur dhe të mrekullueshëm”, tha Presidenti Trump, shkruan Zëri i Amerikës.

Do të jenë pra 21 ditë gjatë të cilave punonjësit federalë do të paguhen dhe ligjvënësit do të negociojnë për një marrëveshje për sigurinë kufitare, për të cilën Presidenti tha qartë se duhet të përmbajë një mur kufitar.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb