TIRANE-Hyn sot në fuqi lista e re e barnave me rimbursim, e cila për vitin 2015 është pasuruar me 29 ilaçe të reja. Më konkretisht, në të janë shtuar 19 principe të reja aktive, për diagnoza që përdoren në shërbime të ndryshme si: Gastro-hepatologji, Onkologjik, Endokrinologji, Reumatologji etj. Po ashtu, këtë vit do të rimbursohen edhe 10 formëdoza të reja të disa barnave ekzistuese, ndërkohë që bashkëngjitur shkrimit gjeni tabelën e plotë të ilaçeve të reja dhe shërbimin ku ato përdoren. Risia e këtij viti është rimbursimi i materialeve mjekësore. Falë ligjit të ri të FSDKSH, tanimë ekzistojnë hapësirat ligjore për të rimbursuar edhe materiale mjekësore, për të cilat ka pasur kërkesa të vazhdueshme në Fond nga popullata në nevojë. Falë tij do të bëhet i mundur rimbursimi i materialeve mjekësore, siç janë: strishat e matjes së glicemisë për diabetikët, qeset njëpërdorimshe për shkarkimin kolostomik; disa pajisje për kardiologjinë invasive etj. Paralelisht me listën e barnave të rimbursuara, nga dita e sotme, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të nisë aplikimin e recetës 2-mujore për pacientët e stabilizuar kronikë. Më herët, kreu i FSDKSH, Astrit Beci bëri me dije për ‘GSH’, se “aplikimi i kësaj recete do të thotë se pacienti do të ketë një lehtësim të ndjeshëm, pasi nuk do ta ketë të nevojshme paraqitjen pranë mjekut të familjes çdo muaj për barnat që merr rregullisht me rimbursim, por një herë në dy muaj. Kjo, përveç rasteve kur ka ndryshim terapie, gjë e cila përcaktohet nga mjeku”. Nga ky vendim pritet të përfitojnë një sërë kategorish, por më tepër do të lehtësohen pensionistët, për të cilët, sipas të dhënave të FSDKSH, lëshohen 3,214,591 receta me rimbursim në vit. Në total, gjatë vitit 2014 janë lëshuar 4,596,033 receta të rimbursueshme, ndërkohë që vendimi i ‘Fondit’ erdhi pas lançimit të Kartës së Shëndetit, avantazhi kryesor i së cilës është lehtësimi i pacientëve, sidomos pensionistët apo veteranët, të cilët nuk kanë nevojë ta rinovojnë periodikisht atë, sikurse ndodhte me librezën e shëndetit.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: