Shefi i policisë kombëtare të Haitit tha se autoritetet arrestuan një burrë haitian, i cili hyri në vend me një avion privat në muajin qershor dhe – sipas policisë – punoi me organizatorët dhe vrasësit e dyshuar të presidentit Jovenel Moïse.

Shefi i policisë, Léon Charles, e identifikoi burrin si Christian Emmanuel Sanon dhe tha se ai udhëtoi në Haiti me qëllime politike.

Zoti Charles tha se zoti Sanon shoqërohej nga roje sigurie të cilët kishin për mision fillestar ta ruanin atë, por më pas u ngarkuan me arrestimin e presidentit Moïse.

Shefi i policisë gjithashtu tha se pas vrasjes së presidentit Moïse javën e kaluar, një nga autorët e dyshuar e thirri në telefon zotin Sanon dhe se me pas ky i fundit, thirri dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar, të cilët policia i konsideron si organizatorët e vrasjes.

Zoti Charles tha se policia ka arrestuar 18 kolumbianë dhe 3 haitianë në lidhje me sulmin dhe se të paktën pesë persona të tjerë besohet të jenë ende në arrati.

Ai tha se pas marrjes në pyetje të të arrestuarve, policia beson se të paktën disa nga të dyshuarit ishin punësuar nga kompania CTU Security, me seli në Miami.

Presidenti Moïse u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në kryeqytetin haitian, Port-au-Prince, të mërkurën në mëngjes. Gruaja e tij, Martine Moïse, u plagos rëndë gjatë sulmit dhe u dërgua në Miami për mjekim.

Shtetet e Bashkuara dërguan të dielën një ekip teknik në Haiti për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe nevojat e tjera. Ekipi përfshin personel nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Byroja Federale e Hetimit (FBI).

Shtetet e Bashkuara më herët refuzuan kërkesën e Haitit për dërgim trupash për të shtypur dhunën sporadike që pasoi vrasjen.

Një zyrtar i administratës së presidentit Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të këshillohen gjithashtu me partnerët rajonalë dhe Kombet e Bashkuara lidhur me trazirat në Haiti./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb