Gjykata e Sarandës dënoi me 10 muaj burg Angjelo Hamitin, 30 vjeç, banues në Delvinë. Ai u shpall fajtor nga Gjykata për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, kryer në ambiente sportive dhe në rrethana rënduese” dhe “veprime të dhunshme në aktivitetet sportive me pasojë moszhvillimin e aktivitetit sportiv, kryer në rrethana rënduese”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Hamiti ndodhi në 20.12.2020. Në kuadër të Kategorisë së Dytë të Futbollit, Grupi B, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, më datë 20.12.2020, në stadiumin e qytetit të Delvinës është luajtur ndeshja ndërmjet ekipeve të futbollit Delvina – Albpetrol, e vlefshme për javën e 7-të të kampionatit në fjalë.

Në minutën e 12-të të ndeshjes, teksa arbitri ka akorduar një goditje këndi në favor të ekipit mik, nga sportdashësit e gjendur jashtë rrethimit të stadiumit është qëlluar me gurë në drejtim të arbitrit anësor. Madje, njëri prej tyre ka kapërcyer rrethimin e jashtëm të stadiumit, si dhe rrethimin e tribunës anësore dhe është sulur drejt arbitrit anësor, duke e goditur atë me një gur që kishte me vete në pjesën e ballit, duke i shkaktuar një çarje. Më pas, agresori e ka goditur arbitrin me grusht edhe në pjesën e fytyrës.

Si pasojë e dëmtimeve të pësuara, pas konsultimit me mjekun e ndeshjes, arbitri anësor është përcjellë për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit të Sarandës.
Për pasojë ndeshja e futbollit Delvina – Albpetrol është ndërprerë dhe për shkak të largimit për në spital si i dëmtuar të arbitrit anësor, ndeshja e futbollit Delvina – Albpetrol është ndërprerë duke mos u zhvilluar më.

Gjykata njohu si rrethane lehtësuese pendesën e autorit dhe normalizimit të marrëdhënieve të tij me arbitrin. Hamiti, ndërkohë, rezulton i dënuar më parë për “trafik lendesh narkotike”.

Në përfundim, gjyqtari Fatmir Ndreu kërkoi një bashkim të dënimeve për të dy veprat penale, 1 vit e 3 muaj burgim, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar e dënoi atë përfundimisht me 10 muaj burgim. Këtë pretencë kishte dhënë më parë edhe prokurori Ilir Hoxha.

Megjithatë, Hamiti duhet të presë Apelin për të mësuar nëse do të shkoje në burg, pasi gjatë kësaj kohe është gjykuar me masën “detyrim paraqitje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb