NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Agjencia Kombëtare e Provimeve njofton të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në universitetet publike dhe private të vendit se do të kenë afat edhe sot, më 12 gusht 2016, të bëjnë aplikimin online nëpërmjet formularit të aplikimit. AKP-ja ka shtyrë afatin edhe me një ditë më shumë, duke u dhënë mundësinë të gjithë maturantëve që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aplikimin online të kenë mundësi të bëhen pjesë e garës për në universitet. Ky është shansi i fundit jo vetëm për ata studentë që do të aplikojnë në 12 universitetet publike, por edhe për ata që duan të ndjekin studimet në universitetet private. Pasi për herë të parë, Ministria e Arsimit do të mbikëqyrë aplikimet në universitetet private, dhe nëse një kandidat nuk kryen aplikimin online në portalin “matura.akp.gov.al”, nuk mund të vijojë studimet.

Maturantët ndryshe nga vitet e tjera, kur pjesë e programeve të studimit kanë qenë vetëm programet e studimeve që ofrohen nga universitetet publike, këtë vit ksnë të listuara edhe programet e studimit që ofrohen nga institucionet private. Në total, në formularin e aplikimit shfaqen 442 programe, ku 290 janë programe studimi që ofrohen në 12 universitete publike dhe 152 janë programe që ofrohen nga 22 universitete jopublike, mes të cilave duhet të zgjedhin vetëm 10 programe studimi. Fituesit do të përzgjidhen nga universitetet në bazë të kritereve që ato vetë kanë miratuar, dhe në bazë të kuotave të pranimit. Në total, në 34 institucionet e arsimit të lartë do të pranohen 31.579 studentë.

SHTYRJA E AFATIT
Data 12 gusht është dita e fundit që portali “Matura Shtetërore online” do të jetë të hapur për t’u dhënë mundësi të gjithë maturantëve të plotësojnë formularin e aplikimit në universitete. Maturantët në këtë formular kanë të drejtën të zgjedhin 10 programe studimi, nga universitetet publike dhe private. Edhe ata maturantë që duan të ndjekin shkollën e lartë në një nga 22 universitetet private në vend, duhet patjetër të bëjnë plotësimin e këtij formulari, pasi në të kundërt nuk do të mund të ndjekin studimet. “Njoftohen të gjithë maturantët/ kandidatët të cilët për arsye të ndryshme nuk arritën të plotësojnë në afatet e caktuara formularin për IAL publike dhe private dhe që plotësojnë kushtet për të aplikuar, se portali i Maturës Shtetërore do të rihapet në periudhën 11-12 gusht 2016, në mënyrë që ata të kenë mundësi të kryejnë aplikimin dhe të mos humbasin shanset e konkurrimit për IAL-Raundi 1.

Ky është afati i fundit që iu vihet në dispozicion maturantëve/ kandidatëve që nuk arritën dot të aplikojnë ditët e caktuara për këtë raund, në portalin ‘Matura Shtetërore 2016′”, përcaktohet në njoftimin e AKP-së. Ndër të tjera, përcaktohet se të drejtën të aplikojnë këtë ditë të fundit e kanë vetëm ata që e kanë kryer pagesën prej 2 mijë lekësh dhe kanë notën mesatare dhe të dhënat e tjera të shkollës së mesme në sistem. “Njoftimi është i vlefshëm për të gjithë maturantët/ kandidatët që: 1. Kanë plotësuar Formular A1/A1Z. 2. Gjenden në bazën e të dhënave të Maturës Shtetërore 2016. 3. Kanë të gjithë elementët e plotësuar për të aplikuar në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik dhe Privat”, sqarohet nga AKP-ja. Në portal mund të aplikojnë për në universitet maturantët që kanë mesataren mbi 6. Ata me mesataren nën 6 mund të aplikojnë vetëm për programe mësimore 2-vjeçare me karakter profesionale, si në universitet publike, edhe në ato private.

FITUESIT & KUOTAT
Lista e kandidatëve që kanë aplikuar në universitet do t’u dërgohet nga AKP-ja të gjitha universiteteve publike dhe private sipas programeve të studimit. Universitetet në bazë të kritereve që kanë përcaktuar, brenda datës 5 shtator do të bëjnë përzgjedhjen e fituesve. Aplikantët, ndonëse shpallen fitues në disa degë, kanë të drejtë të regjistrohen në vetëm 1 program studimi. Në 12 universitetet publike do të pranohen 22.420 maturantë, pa përfshirë trojet. Maturantët që duan të studiojnë në universitetet private, këtë vit duhet patjetër që të bëjnë aplikimin online brenda datës 12 gusht, pasi në të kundërt nuk do të mund të ndjekin studimet e larta. 22 universitetet private do të pranojnë 9.158 studentë për vitin akademik 2016-2017.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: