Elseid Hysaj nën shënjestrën e Manchester United nuk është më një spekullim. Këmbanat angleze kanë rënë me kohë në shtëpinë e Napolit. Pas raportimeve të djeshme nga mediat italianë, vjen edhe konfirmimi nga ishulli Britanik.

E përditshmja “Daily Star” jep detaje të tjera interesante të merkatos së United ku del me të njëjtin konkluzion, The Special One ka gati ofertën prej 25 mln paundësh për Elsied Hysajn. Jose Mourinho ka shënjestruar yllin e Napolit pasi është gati të përjashtojë nga skuadra dy futbollistë. Bosi në Old Trafford ka vendosur se Chris Smalling dhe Darmian nuk bëjnë më pjesë në planet e tij afatgjata dhe është gati t’i nxjerrë në merkato. Për këtë arsye Mourinho kërkon Hysajn që e ka piketuar futbollistin e Kombëtares Shqiptare si një specialist në krahun e djathtë të mbrojtjes, por që mund të operojë edhe në qendër të këtij reparti.

“Daily Star” thekson se pavarësisht se Hysaj u ble për vetëm 5 milionë Euro nga Napoli, së fundmi shkodrani ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me skuadrën italiane që në asnjë mënyrë nuk do ta shiste atë lirë. Napoli deri më tani e ka konsideruar Hysajn të pashitshëm si të domosdoshëm për planet e trajnerit Sarri por në futboll e sidomos në merkato kurrë nuk mund të thuhet kurrë, dhe përballë një oferte të jashtëzakonshme De Laurentiis mund të tundohet.

Nga Franca vijnë ndërkohë sinjale se Napoli është duke u interesuar për mbrojtësin e djathtë të PSG, Serge Aurier cka të bën të mendosh se në klubin italian nuk duan të gjenden të papërgatitur në rast të një largimi të mundshëm të Hysajt, për të cilin parashikohet një merkato e nxehtë në janar.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: