Elseid Hysaj, lojtari i Napolit që është grumbulluar nga kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ka folur sot për përgatitjet por edhe për çështje të tjera.

Për t’u evidentuar është se Hysaj i ka kthyer një përgjigjje mjaft të prerë kritikëve të tij, të cilët e akuzojnë se me kombëtaren nuk jep maksimumin.

“Jam shumë i kënaqur me fillimin e kampionatit, kam luajtur rregullisht, edhe trajneri është i kënaqur.

Cana më quan lider? Nuk e mendoj tani shiritin, kam qenë shumë i lumtur në Europian kur më vuri ai shiritin në krah, ishte ndjesi e veçantë sepse dihet se kush është ai. Ndjehem shumë mirë, bëj punën time dhe jam gati për ekipin kombëtar, shiritin pastaj ta shohim me kohë.

Sadiku apo Roshi janë mungesa të mëdha, por ne jemi një grup shumë i mirë, gjendemi mirë bashkë. Tani që u kthyen disa lojtarë me eksperiencë, po krijojmë një grup më të mirë, më të bashkuar dhe bëhemi gati për ndeshjet.

Ky ekip ka ndryshuar komplet që në ndeshjet e verës, të cilat ishin shumë keq. Atëherë ishin shumë faktorë, si pushimet, lojtarë të lodhur, kishim shumë probleme. Do t’i harrojmë ato ndeshje se me entuziazmin që kanë ardhur lojtarët do të jetë shumë më mirë në këto dy ndeshje të radhës.

Te Kombëtarja kanë qenë gati gjithmonë, edhe pse shumë lojtarë kanë pasur pak minuta në këmbë. Por me karakterin e zemrën që kemi në shqiptarët, do të bëjmë maksimumin në fushë.

Izraeli? Besoj që duhet të jemi të qetë, të mos përqendrohemi te e kaluara, të fokusohemi në këto ndeshje se është mundësi që na jepet për të shkuar në Europian. Besoj se janë ndeshje të barabarta, jemi gati, jemi duke u stërvitur mirë. Të gjithë e kanë kuptuar që janë ndeshje reale, jo miqësore, se na afrojnë shumë me kualifikimin.

Duhet që të mos i falim minuta, si i kemi falur në Shqipëri. Siç e pamë në të dy ndeshjet, kemi mundësi të luajmë dhe të fitojmë me Izraelin, e kemi parë se edhe me 10 lojtarë nuk e kishin të thjeshtë të luanin kundër nesh, thjesht duhet të jemi të përqendruar, të fitojmë ndeshjen.

Tani kemi një trajneri të ri, disa mendime të reja të lojës, se të gjithë jemi duke u mësuar prej një viti me trajnerin dhe idetë e tij. Kemi marrë gjithë gabimet dhe vërejtët për t’i rregulluar, do të jemi gati për këtë ndeshje.

Unë do bëj punën që kërkon trajneri, të jem më para tregoj aftësitë sulmuese. Por duhet të kemi një gjë në tru, që të luajmë duke menduar për Europianin se kualifikimi përsëri do të ishte një gjë mesë e madhe. Këtë vit kemi ardhur me entuziazëm më të madh për ta arritur.

Kritikat ndaj meje? Këtë punë kanë, por unë besoj se kur mbaroj lojën e dal jashtë, jam i qetë me veten time. Çfarë thonë njerëzit pastaj nuk më intereson, kam jetën time, lojën time. Unë këtu vi se dua t’i jap një dorë vendit tim, jo për të kaluar kohën se mund ta kaloja në vend tjetër. Vij me qejf për të dhënë maksimumin gjithmonë”, janë fjalët e Hysajt.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb