Në një situatë tjetër do të bëhej fjalë për një krizë, një divorc në shtëpi, por largimi i Elseid Hysajt nga grumbullimi i Napolit në prag të takimit të vlefshëm për Champions League në transfertë ndaj Genkut, ka të tjera prapaskena dhe ka të bëjë direkt me formën e kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë.

Shkodrani, që po has vështirësi të luajë në këtë sezon me Napolin, gjendet në një miks ku gërshetohet vullneti i trajnerit Ançeloti për t’i dhënë fanellën e titullarit Di Lorencos dhe faktit që 25-vjeçari shqiptar ende nuk po arrin të lërë pas shpine dëmtimet që po e shoqërojnë në këto javë të para të kampionatit.

Në fakt, shqetësimet që ka ndjerë Hysaj kanë bërë që të mos udhëtojë drejt Belgjikës. Fillimisht, ai ishte pjesë e të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Genkut, por më pas u vendos që shkodrani të qëndrojë në Napoli dhe të vijojë rikuperimin atletik në Kastel Volturno. Pas një konsulte me stafin atletik dhe tranerin Ançeloti, shqiptari vendosi të mos udhëtojë, por të vijojë rikuperimin që të jetë sa më shpejt në 100% të formës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb