Nisma e PS për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, që tashmë ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të votohet më 9 qershor, është bërë temë diskutimi këtë mbrëmje në emisionin “Real Story”, në News24.

I ndodhur përballë kreut të Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit, Alket Hyseni, drejtori i programacionit dhe informacionit në Neës24, Robert Rakipllari, tha se nëse ky komision ka prova, që faktojnë se Ilir Meta ka kërkuar vota për 25 prillin, ai tërhiqet nga qëndrimi i tij se Presidenti po gjykohet për mendimet dhe deklaratat e tij.

Nga ana e tij, Hyseni deklaroi se Presidenti nuk është kryetar partie apo kryeministër, që i lejohet të mbajë kah, dhe as një politikan i zakonshëm, ndaj dhe sipas tij, i ngre shqetësimet me mekanizma shumë të kujdesshëm.

Rakipllari: Nëse Komisioni ka prova të tjera, përveç deklaratave, që involvon presidentin në përfshirjen në zgjedhje, në rregull. Nëse ju keni prova, që ai ka shkuar e ka kërkuar vota, na i thoni dhe unë tërhiqem.

Vasjari: President duhet të jetë kryetar i shtetit dhe simbol i unitetit të popullit jo vetëm në situata të zakonshme, por edhe në situata të jashtëzakonshme.

Hyseni: Presidenti nuk është një kryetar partie, as kryeministri, që mund të shprehet, se është përfaqësues i një mazhorance dhe mban kah si ta mendojë. Cdo shqetësim që ka Presidenti nuk e bën dot si njeri apo politikan i zakonshëm, por me mekanizma shumë të kujdesshme. Janë disa elementë, që ne menduam se janë të rënda për shkarkimin e Presidentit. Së pari, qëllimi dhe aktet e caktuara. Ne gjykuam që qëllimi i Presidentit ishte vetëm politik dhe i lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Presidenti nuk del me shpatë.

Elementi tjetër është qëndrimi i vetë shkelësit, që është refraktar ndaj shkeljes. Do doja të vinte në komision, t’i thoshte publikut qëndrimet e tij, të sqaronte qëllimet e deklaratave të tij. Ne themi që ka shkelje, dhe nëse ka qoftë edhe një shkelje, Presidenti duhet shkarkuar. Presidenti bëri deklarata politike dhe i ka pranuar edhe vetë. Më bëri përshtypje deklarata e tij, kur i bënte thirrje popullit të mprehte sfurqet. Ai mund ta kishte thënë në mënyrë letrare, që sërish ishte e rëndë, por të paktën të thoshte në fund që nuk ishte një thirrje që duhej marrë për bazë, por nuk e bëri. Ajo që i ngeli Presidentit, po të kishte mekanizma, të bënte grusht shteti.

Rakipllari: Biem dakord që Presidenti zgjidhet me 71 vota, por shkarkohet me 2/3, por raportin për fajësinë e miraton Gjykata Kushtetuese. Presidenti i Republikës është i mbrojtur dhe nuk i merr dot 2/3 e votave. Praktikisht ju si mazhoranca sot i keni të sigurta votat, se nuk ka opozitë, ndaj po shkoni. Pra, Parlamenti nuk i ka 2/3 e votave, nuk është zgjedhur për ta pasur këtë legjitimitet. Nga kjo pikëpamje e shoh shumë të dyshimtë. Përderisa po e bën këtë gjë, mazhoranca e di shumë mirë sa vota ka në Parlament. Opozita në Shqipëri nuk është dakord me këtë vendim të mazhorancës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb