Është zhvilluar sot seanca dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku kandidatët për ambasadorë të Shqipërisë nëpër botë u janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj, e ka pyetur mes të tjerash Ervin Bushatin, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në SHBA dhe Shtetet e Bashkuara të Meksikës, nëse do të jetë i paanshëm në detyrën e re, pasi e ka parë kohët e fundit aktiv përkrah qeverisë.

Gjekmarkaj: Besoj se jeni i vetëdijshëm që do jeni ambasadori më i rëndësishëm i Shqipërisë nëse konfirmoheni. Ministria e jashtme ka ekselencat e veta, është aty edhe zoti Turdiu.

Unë e di se si rekrutohet administrata. Ne këtu bëjmë gjasme për shumëçka. Do të doja shumë që në diplomaci, duke e ditur fuqinë e Shqipërisë që është modeste, të kishim ambasadorë si në kohën e Zogut ku në SHBA shkonte Konica, në Athinë Mithat Frashëri, në Romë Fu at Fico. Në diplomaci pa hequr ndonjë emër cilësor, ka shumë mediokritet. Bushatin e kam parë shumë aktiv kohët e fundit në krah të qeverisë në debatet televizive. A do të jeni i paanshëm si ambasador?

Bushati tha se çështjet patriotike kryesore të Shqipërisë, jashtë dyerve të politikës na bëjnë gjithmonë bashkë.

Bushati: Është mision më shumë se detyrë. Detyrat që kam mbajtur si deputet apo edhe në Këshillin e Europës në Strasburg, kam mësuar që çështjet patriotike kryesore të Shqipërisë, jashtë dyerve të politikës na bëjnë gjithmonë bashkë. Mendoj se kam mundësinë dhe kapacitetin që ta kuptoj që ajo që kam mbi supe sot, është një detyrë patriotike.

Ndërkohë deputeti i PD Tomor Alizoti, iu drejtuar Vasilika Hysit, kandidate për ambasadore në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke i thënë se i duhet më shumë Shqipërisë që të qëndrojë këtu.

Alizoti: Ju përshëndes dhe shoh që keni një aktivitet të gjatë mbi të drejtat e njeriut, mendoj se nga ana morale do ishte më mirë të mos shkonit ambasadore por të rrinit këtu sepse Shqipëria ka mungesë të theksuar për të drejtat e njeriut. Kjo do t’u bënte ju, siç tha dhe zonja Kodheli më parë, një emër të madh që nuk besoj ta arrij kërkush si Nënë Tereza, sepse morali është i përjetshëm, dhe detyrat të përkohshme. Meqë kur ka qenë PD në pushtet keni kërkuar të drejtat e njeriut do t’u bënte dhe më të moralshme tani që është PS në pushtet, të vini në detyrë të drejtat e njeriut. Meqë PS po bëhet një parti shtet, do ishte mirë që njerëzit me vlerë mos të shijojnë punë për të drejtat e njeriut, por të jenë në terren.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb