Gjyqi i një ish-zyrtari iranian, i akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, do të zhvendoset nesër nga Suedia në Shqipëri për të dëgjuar dy javë dëshmi.

Gjykimi i Hamid Noury, i cili ka qenë zëvendës prokuror i burgut Gohardasht në Karaj, ka nisur më 10 gusht dhe vazhdon ende.

Krimi për të cilin bëhet fjalë ka ndodhur në korrik 1988, kur 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të parregullta që zgjatnin një ose dy minuta.

Të gjitha viktimat janë varrosur në fshehtësi në varre masive të fshehta.

Mbi 90 për qind e viktimave ishin aktivistë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.

Regjimi iranian nuk e ka pranuar kurrë këtë masakër dhe autorët e saj kanë gëzuar pandëshkueshmëri totale gjatë gjithë këtyre viteve.

Më 26 tetor në fillim të seancës, gjykatësi shpalli se i gjithë trupi gjykues i Stokholmit do të zhvendoset në Durrës.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj tha për “BalkanWeb” se gjyqi do të nisë në Durrës më 10 nëntor dhe do të vazhdojë deri më 19 nëntor.

Gjykata ka vendosur të zhvendoset në Shqipëri për të dëgjuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve kyç, të cilët janë të gjithë anëtarë të MEK (Muxhahedinët e Popullit të Iranit), grupit opozitar në mërgim, të cilët banojnë në Ashraf 3, një kamp pranë Durrësit, që është shtëpia e 2,800 anëtarëve.

Nisur nga rëndësia e këtyre dëshmive për çështjen, të gjashtë gjyqtarët, dy prokurorët, avokatë të palës paditëse, përkthyes, dhe avokati i Noury do të vijnë në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb