Gjykata e Tiranës liron në sallën e gjyqit Elvis Sejdon, i dyshuar për vjedhje me dhunë, pasi kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ishte paraqitur jashtë afatit ligjor prej 72 orësh. Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarin, kërkesë e cila u kundërshtua nga avokati Sokol Tahiraj.

Ky i fundit insistoi në moscaktimin e asnjë mase duke arsyetuar se është paraqitur jashtë çdo afati ligjor, pra jashtë afatit 72 orësh që e ka të përcaktuar Kodi i Procedurës Penale. Kërkesa e tij u pranua nga Gjykata dhe Sejdo u lirua pa asnjë masë sigurie.

Elvis Sejdo ishte shpallur në kërkim përmes operacionit “Escape” pasi ishte bashkëpunëtor në grabitje në afërsi të qendrës “Kristal” në Tiranë.

“Jam i antidrogës, ku i ke lekët”, ishin fjalët e autorit në grabitjen e 8 gushtit në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet.

Në atë kohë, Kevin Zekës i grabitën me armë 1450 euro dhe biçikletën, ndërsa përfunduan në pranga Sebastjan Ogiçi, Ruzhdi Thoma dhe Marjus Fejzulla, ndërsa në kërkim u shpall Elvis Sejdo.

Ky i fundi u vetëdorëzua më 10 tetor, por tashmë për shkak të shkeljes së afatit ligjor, ai do të jetë i lirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb