Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i është drejtuar me një kërkesë të re Gjykatës së Lartë.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se ai ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij me 2 vite burg, me arsyetimin se vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe se izolimi do i sillte pasoja të rënda për shëndetin. Kjo kërkesë, vjen në një kohë kur Gjykata e Lartë ka vendosur datën 22 prill, për të shqyrtuar kërkesën e ish-kryeprokurorit, ndërsa mësohet se trupa do të përbëhet nga gjyqtarët, Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj.

Kujtojmë se ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të banesës si dhe shkollimin e vajzës në Gjermani.

Gjithashtu ndaj ish-kryeprokurorit gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë. Më konkretisht bëhet fjale për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. Në vendimin e saj Apeli i GJKKO-së, thotë se ish kryeprokurori për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llala, i arratisur nga vendi para vendimit të formës së prerë që e dënoi me dy vjet burg për “fshehje të pasurisë”, u arrestua në Itali ne dhjetor te vitit te kaluar.

Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb