Kreu i SPAK Arben Kraja ka folur dhe për rolin e efektivit të policisë shef i krimeve në Lezhë, Leonard Palushi, të arrestuar sot. Ai tha se personi është pjesë e strukturave të policisë. “Urdhër arresti është për veprën penale shpërdorim i detyrës. Detaje të tjera nuk mund të jepen sepse është pjesë e hetimit”, tha ai.

I pyetur për dyshimet për dekonspirim të operacionit, ai tha se nuk ka asnjë dyshim, por se duke qenë një numër i madh personash kërkonte kohën e duhur.
“Nuk kemi asnjë dyshim për dekonspirim, por procedurat janë të tilla që kërkojnë kohën e duhur sepse janë një numër i madh personash për të cilët kishte masa arresti”, deklaroi Kraja.

Sa i përket personave të arrestuar tashmë për vepra të tjera penale, kreu i SPAK tha se janë në procese të tjera. Për ata që nuk janë kapur ende ai deklaroi se operacioni vijon dhe s’mund të jepen detaje. Kraja theksoi vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund.

“Janë disa që janë në masë sigurie. Janë në procese të tjera. Për sa i përket personave që nuk janë kapur ende nuk mund të jap emra. Jemi të vendosur të shkojmë deri në fund, pavarësisht se është i fortë apo nuk është i fortë, ka mbështetje apo nuk ka mbështetje”, deklaroi Kraja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb