Emisioni “Me zemër të hapur” i gazetares Evis Ahmeti në News24 ka sjellë sot dramën e një vajze shqiptare që ka mbetur në Siri jo për faj të saj dhe kërkon të kthehet në Shqipëri. Një thirrje për ndihmë nga familja Shuli nga Pogradeci, për riatdhesimin e Elonës, motrave dhe vëllezërve të saj.

Ishte përhapur një sekt i vetëquajtur “Shërbëtorë të Islamit”. Viktimë e këtij sekti ra dhe Krenar Shuli, babai i tre fëmijëve. Krenari, person shumë i dashur në fshat dhe shumë punëtor, por me mundësi ekonomike thuajse në kufijtë e mbijetesës.

U largua në Siri duke menduar dhe planifikuar një jetë me të mire për vete dhe fëmijët, por që fati nuk ishte ashtu. Ishte korrik i vitit 2013, së bashku me bashkëshorten Adelinën dhe tre fëmijët e mitur mbërrijnë në Siri duke lënë pas prindërit me një dhimbje të madhe. Çifti pasi mbërrin në Siri përballen me një jetë të vështirë, vetëm kur vajza e madhe mbushi 13 vjeç ata e martuan. Elona u bë nënë 14 vjeç, pikërisht këtu nis historia tragjike e familjes Shuli. Krenari dhe Adelina mbetën të vrarë, sot Elona ka peshën e madhe të familjes, por me thirrjen e madhe për t’u kthyer në shtëpi. Gjyshërit e saj sot bënë apel në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 duke iu drejtuar institucioneve për riatdhesimin e nipit dhe mbesave.

“Para 3 ditësh mbesa e dytë më mori në telefon, kërkoi ndihmë nga shteti dhe nga të gjitha institucionet. Kam 8 vite që vetëm qaj natë dhe ditë. Mbaj mend kur ata u larguan ishte tetor në 2013-të. Adelina nusja u lidh me një hoxhë atje në Siri dhe ata iu mbushën mendjen për t’u larguar. Unë dua të më ndihmoni për t’i rikthyer fëmijët patjetër këtu. Krenari dhe Adelina ikën, u mashtruan nga hoxha, por sot mbesat e mia po më kërkojnë ndihmë”, tha gjyshi i Elonës Dylberi.

Asija, gjyshja tregoi detaje të tjera nga komunikimi me mbesat.
“Ato qajnë pa pushim, kanë mbetur vetëm atje pa nënë pa baba. Elona vetëm qan, ajo është nënë dhe baba për ata fëmijë. Elona ka probleme shëndetësore dhe nuk shkon dot të vizitohet sepse ka frikë dhe mendon se fëmijët mbeten rrugëve. Ishte 24 tetor i 2013 kur Krenari vendosi të largohej, ai më pohoi se do çonte çupën në shkollë në Tiranë te Medreseja. Vajza e vogël ishte vetëm 2 muajshe, ditën e dytë ata ishin larguar, madje i kishin parë duke qarë kur po hipnin në avion. Unë e mësova të vërtetën nga ai i xhamisë, vajtëm në degë në polici, na pohuan se ai ishte larguar nga Shqipëria. Pas dy javësh ai na mori në telefon dhe na tha që jemi në Siri. Ai u mashtrua sepse i kishin pohuar që aty ku do shkonte ishte vend i mirë”, tregoi Asija.

Ajo tha se lajmin për vdekjen e të birit ia kishte dhënë mbesa, ndërsa nusja nuk u gjet më kurrë.
“Mbesa Elona më mori në telefon dhe më tha që babi nuk jeton më, është vrarë. Nusja Adelina pas një muaji nuk u gjet më, pasi nuk u kthye më në kamp, pas një bombe që shpërtheu. Nuk dimë çfarë ka ndodhur! Elona, mbesa u martua atje 13-vjeçe dhe ka lindur një fëmijë i cili sot është 4 vjeç. Elona më shprehej që nuk donte të jetonte më pasi ishte e lodhur shumë dhe po vuan shumë. Ajo po mban dhe po ushqen 5 fëmijë, ata nuk kanë as për të ngrënë, duan shumë gjëra. Elona tha që disa shqiptarë të tjerë i çuan në një kamp tjetër ndërsa Elona është ende në kampin ‘Al Hol’”, rrëfeu gjyshja.

Na kërkojnë të ardhura sepse nuk kanë askënd as babin as nënën gjallë, vetëm ne na kanë. Ne ju dërgojmë çdo muaj 100 dollarë, por nuk kemi se dhe ne kemi vetëm 100 mijë lekë pension. Ka informacione që ata do të nxirren, por deri më tani asnjë veprim. Na pohuan që kishin shkuar për t’i tërhequr, por nuk i kanë gjetur. Por unë e pyeta Elonën dhe ajo më pohoi që atë ditë ishte në çadrën e një shqiptareje tjetër. Aty me Elonën jetojnë gra të tjera shqiptare me fëmijë. Elona kur humbi dhe nënën më pohoi se donte të vetëvritej sepse nuk e duronte më dot këtë situatë. Elona ishte në një hyrje aty ku jetonin dhe i ati e martoi me atë djalë. Krenari kishte dy vite që frekuentonte fenë në xhami, aty u manipulua nga disa persona për të cilët nuk di sesi përfunduan. Mua më vdiq djali, nuk dua të di më asgjë tjetër”, deklaroi nëna.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb