Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u shpreh se në fokus të diskutimeve ka qenë analiza për punën e Kuvendit, si dhe zgjedhjet e 14 majit.

I pyetur për ligjin e amnistisë fiskale, kreu i grupit parlamentar i PS tha se ky ligj i bën mirë ekonomisë së vendit, dhe se do të miratohet brenda sesionit.

“Kemi bërë një analizë të punës së kuvendit gjatë dy sesioneve të zhvilluara në 2022. Analizë në aspektin sasior të ligjeve, vendimeve, seancave, por dhe cilësor, me performacën e secilit prej deputetëve. Nga ana ime i është kërkuar deputetëve prezencë më e shtuar në territor, edhe kryeministri ka pasur një sërë kërkesash të cilat i bëjnë mirë punës së anëtarëve të grupit parlamentar të PS. Duhet të jetë dhe një vit i rëndësishëm komunikimi me njerëzit. Forcimi i kësaj aleance për zgjedhjet e 14 majit e më pas, është jetik për ne.

Amnistinë fiskale nuk e miratojmë dot me procedurë të përshpejtuar sepse nuk na e lejon kushtetuta, por do të bëhet brenda sesionit.

Amnistia fiskale apo ligje të tjera të rëndësishme do i miratojmë në javët në vijim. Kuvendi i ka votat për miratimin e çdo ligji, ligje që kërkojnë 3/5, apo 2/3. Kështu që nuk mendoj se është korrekte të shprehem sot sepse deputetët e opozitës nuk e kanë lexuar ligjin për amnistinë fiskale. Ky ligj i bën mirë ekonomisë së vendin dhe mendoj se me rëndësi është nevoja që ka sot ekonomia e vendit për të miratuar ligje të tilla. Kështu që mos u gaboni në konstatimin tuaj se nuk i ka votat.

Dekretin e presidentit për ligjin e dekoratave do të shqyrtohet me vëmendje dhe do të konsultohemi me presidencën mbi ato konstatime për të adresuar sa të kemi mundësi një pjesë të rekomandimeve… ky është presidenti norma, fakti që sjell një sërë rekomandimesh, mendoj se është në të mirën e balancave check and balance.

Opozita nuk ka ekskluzivitetin e emërimit të avokatit të popullit. Kam thënë që avokati emërohet nga kuvendi ku opozita ka të drejtën e propozimit. Opozita bojkotoi procesin ne votimit mbi një pretendim të paqenë, kjo tregon se nuk respekton kandidatët që sjell vetë”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: