Armando Broja po luan ndeshjet e fundit për këtë sezon me Southampton dhe e ardhmja e tij mund të jetë në Serie A.

Sergio Porrini, zëvendëstrajneri i përfaqësueses shqiptare ka dhënë një intervistë për TMW, ku është shprehur se ylli kuqezi përshtatet shumë me lojën e Napolit dhe mund të ketë sukses, nëse kalon te kjo skuadër. Sa i përket krahasimit me një sulmues të kampionatit italian, Porrini beson te ngjashmëria me Leaon.

 

“Si është Broja? Nga viti i kaluar te ky aktual, është rritur jashtëzakonisht shumë. Te Sauthemptoni, pas një fillimi të vështirë ku duhej të ambientohej e të kuptonte kërkesat e trajnerit, më pas shpërtheu. Është një sulmues që cilësinë më të madhe e ka te progresioni, sidomos te ai me topin në këmbë.

Është një lojtar i cili me krahasimet e rastit mund të cilësohet alla-Leao. Një lojtar i cili kërkon hapësirë dhe kur shkëputet, bëhet i pandalshëm, sepse ka këtë shkëputje, këto metra të parë ku me të vërtetë mund të vërë në vështirësi çdo lloj mbrojtësi. Është më pak i aftë në ndërtimin e aksionit me shpinë nga porta, të lejojë skuadrën të dalë para, etj. Por është një lojtar i cili në hapësirë bëhet shkatërrimtar. Është i ri dhe nuk habitem që pas një sezoni të tillë të ketë interesimin e shumë skuadrave, sidomos të një skuadre si Napoli.

A mund të përshtatet në Itali? Në fillim mendoj se në kampionatin italian kanë vështirësi të gjithë.  Ndonëse për momentin kampionati italian nuk është ndër më të mirët, për sulmuesit mund të bëhet i vështirë për shkak të takticizmit që mbizotëron. Por ai ka disa aftësi që nuk i përkasin shumë lojtarëve e sulmuesve, këto janë dhunti që mund të shkaktojnë dëm në çdo lloj kampionati. Në Itali është e vërtetë që ka ndeshje të bllokuara, por ka edhe momente ku ka shumë, shumë hapësira. Ndaj mendoj se të shkojë në një skuadër si Napoli që luan me topin në tokë e mbërrin në sulm me topin në tokë, mund të jetë lojtari ideal” – tha ai.

 

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb