NGA AURORA GOLEMI

TIRANE- “Ku ndodhen eshtrat e babait tim? Kur do të mbaroi kjo dhimbje 20-vjeçare për familjen? Duam t’i bëjmë një varr”. Me këto fjalë iu drejtohet deputetëve të Kuvendit djali i Remzi Hoxhës, i zhdukur prej 20 vjetësh, Ardian Hoxha. Ai iu dorëzoi deputetëve para se të hynin në seancë kërkesën për arrestimin dhe ekstradimin e Kumbaros, por edhe angazhim për gjetjen e eshtrave të së atit.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë, nuk i kërkojmë shtetit ndonjë favor”, tha ai.

Ardian Hoxha, ripërsëriti kërkesën të cilën ai e protokolloi një ditë më parë në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, duke u munduar t’i takonte personalisht të gjitha ata deputetë që po futeshin në sallën e Kuvendit për seancën plenare. Por vetëm pak deputetë ndaluan disa çaste për të marrë një kopje të kërkesë, ndërsa të tjerët u treguan thjesht indiferentë.

Më 21 tetor 1995 biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha u rrëmbye në Tiranë nga vendi ku punonte nga strukturat e SHIK-ut, gjë që u vërtetua pas 17 viteve me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku u dënua me 15 vjet burgim Ilir Kumbaro i shpallur fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit.

Kumbaro u arrestua në Angli, ku qëndroi disa kohë në arrest shtëpie, por u arratis më pas. Sot Ilir Kumbaro kërkohet nga Interpoli.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: