Pas ekzekutimit mafioz të komisar Artan Cukut, policia nisi hetimet edhe në pistën e hakmarrjes nisur nga një vetëvrasje në zyrën e tij 12 vite më parë. Madje policia shoqëroi edhe 2 vëllezërit e Agim Dakës, tropojanit që vrau veten me armën e Cukut. Por dy ditë pas vrasjes babai i tij, Prelë Daka ka folur për “News24” e “BalkanWeb”. Ai ka deklaruar se me komisar Artan Cukun janë pajtuar sipas kanunit pas vdekjes së të birit.

“S’kemi lidhje me vrasjen e Artan Cukut. E kemi mbyllur atë çështje dhe jemi pajtuar sipas kanunit. Artan Cuku ka bërë be në xhami se djali im Agim Daka është vetëvrarë dhe unë dhe familja ime e kemi besuar. Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut sepse e kemi mbyllur shumë vite më parë”, ka deklaruar ai.

Ai ka rrëfyer më tej se kanë dorëzuar në polici pamjet filmike të pajtimit mes dy familjeve në xhami.
“Kemi dorëzuar në polici kasetat me pamjet filmike kur dy familjet tona janë pajtuar ne xhami. Djemtë i kanë shoqëruar por ata i kanë thënë policisë se s’kanë lidhje me vrasjen dhe më pas i kanë liruar”, ka rrëfyer Prel Daka, raporton “BalkanWeb”.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb