Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar ndaj deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili e akuzonoi Ghebreyesus se është “blerë” nga kinezët, duke i cilësuar këto pretendime si “të pavërteta dhe të papranueshme”, shkruan Business Insider.

“Këto komente janë të pavërteta, të papranueshme dhe pa ndonjë bazë”, ka deklaruar kreu i OBSH-së gjatë një konference për media, duke paralajmëruar edhe një herë luftën kundër çfarëdo “politizimi” të pandemisë së coronavirusit.

Shefi i diplomacisë amerikane kritikoi ashpër OBSH-në, gjatë takimit me dyer të mbyllura me deputetët britanikë në Londër.

Pompeo e ka quajtur organizatën “politike” duke e akuzuar mjekun Tedros se është “blerë nga qeveria kineze”, të cilës i ka borxh që e ka përzgjedhur në krye të OBSH-së gjatë vitit 2017.

Tedros tha se për OBSH-në më e rëndësishme është shpëtimi i jetës së njerëzve.

“Nëse ekziston një gjë që për ne ka shumë rëndësi dhe duhet të jetë për gjithë faktorin ndërkombëtarë është shpëtimi i jetës së njerëzve. OBSH nuk do të lejoj që të shpërqendrohet nga këto komente”, ka shtuar i pari i OBSH-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb