TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka shkarkuar sot drejtorin e Burgut të Peqinit, Fatos Veliun. Mësohet se është shkarkuar dhe shefi i Sigurisë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, Filip Ulnderaj.

Shkarkimi i dy zyrtareve ka ardhur pas vetëvrasjes në qeli të të dënuarit Mario Ramaj. I dënuari Ramaj është vetëvarur me çarçaf në ambientet e këtij burgu ditën e mërkurë.

Mario Ramaj ishte dënuar me 25 vite burg në vitin 2014, ndërsa ishte ekstraduar nga Greqia nën akuzën per vrasje dhe perdhunim me pasojë vdekje.

Ngjarja
Ministria e Drejtësisë sqaron se vetëvarja e 30¬vjeçarit ka ndodhur në kohën kur po kryhej shoqërimi i të dënuarve nga ajrimi nëpër dhoma. “I dënuari e ka kryer aktin suicidal me mjete rrethanore, çarçaf i përshtatur si litar. Në momentin kur është gjetur nga policët e regjimit të brendshëm, është kryer menjëherë ndërhyrja dhe i është dhënë ndihma e parë nga mjeku i institucionit. Më pas, është kryer shoqërimi për në spitalin rajonal, ku i dënuari nuk ka mundur të mbijetojë”, ¬thuhet në njoftimin për mediat. Ministria thekson se nisur nga rrethanat e ngjarjes, nga mosmenaxhimi i duhur dhe neglizhenca në kryerjen e detyrave që mund ta parandalonin këtë ngjarje, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë është dhënë masa “Shkarkim nga detyra” për Drejtorin e IEVP Peqin Fatos Veliu dhe Përgjegjësin e Sektorit të Sigurisë, Filip Ulndreaj. Njoftimi përfundon duke thënë se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjes dhe ndan përgjegjësinë për këtë akt të rëndë.
Deklarata e ministrisë së Drejtësisë
Në një njoftim për mediat drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se sot, më datë 29.04.2015, ora 16:55, i dënuari i sigurisë së lartë Marjo (Sajmir) Ramaj, i datëlindjes 1985, ka kryer aktin e vetëvarjes në mjediset e dhomës së tij në Peqin, ku vuante dënimin. “Shtetasi ishte i akuzuar dhe dënuar për veprat penale “Vjedhje me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 K.P dhe “Vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër”, parashikuar nga neni 77 K.P. Me bashkim dënimesh ka marrë dënimin prej 25 vjet burg. Duke përllogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim, kishte kryer gjithsej 2 vite burgim, mbetur për të vuajtur 23 vite burgim. Veprat penale janë kryer në Greqi në 2010, por dosja e shtetasit M.Ramaj është transferuar në Shqipëri në vitin 2013. Shtetasi është arrestuar dhe ka marrë dënimin në qershor të vitit 2014 dhe që prej asaj kohe ka qëndruar në burgun e sigurisë së lartë Peqin”, -thuhet në njoftimin për mediat.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: