Shpeshherë i shohim të nxehur, të gëzuar apo të hidhëruar në pankinat e skuadrave të tyre, apo edhe në fushat stërvitore. Por, trajnerët e Superiores dinë të jenë edhe njerëzorë dhe, ashtu si të gjithë në ditën e sotme, e cila përkon edhe me festën e Krishtlindjes, kanë dëshirat e tyre. “Panorama Sport” ka kontaktuar me të gjithë ata që drejtojnë ekipet elitare në vendin tonë për t’i pyetur se çfarë do të donin që t’u sillte Babagjyshi si dhuratë në këtë fundvit për ekipet që ata drejtojnë. Përgjigjet natyrisht që deri diku janë të pritshme, por ka edhe surpriza. Titull kampion, merkato, por edhe pikë më shumë janë ato që kanë deklaruar teknikët në deklaratat e tyre.

Ernest Gjoka (Kukësi)
Skuadra e tij po kalon një formë të shkëlqyer dhe është shpallur kampione dimri dhe natyrisht që objektivi i Kukësit për vitin e ardhshëm është fitimi i titullit kampion. Kjo është dëshira më e madhe që trajneri Ernest Gjoka ka në këtë ditë Krishtlindjesh. “Shpresojmë që vitin e ardhshëm të vazhdojmë me këtë ritëm që e kemi mbyllur kampionatin dhe do Zoti na dhuron kampionatin”, ka thënë Gjoka.

Sulejman Starova (Partizani)
Është trajneri që i ka dhënë Partizanit titullin e fundit kampion në Kategorinë Superiore dhe tanimë ka objektivin që ta bëjë sërish një gjë të tillë. 61-vjeçari që drejton Partizanin ka vetëm një dëshirë dhe natyrisht që është trofeu, i cili u ka munguar të kuqve shumë vitet e fundit. “Dua një trofe me Partizanin. Dëshiroj shumë që të shpallemi kampionë”, ka thënë Starova në deklaratën e tij. Aktualisht, Partizani është vetëm një pikë larg vendit të parë dhe ka një diferencë prej tri pikësh me vendin e tretë.

Andrea Agostineli (Skënderbeu)
Edhe pse ditët e fundit është folur shumë në lidhje me të ardhmen e tij në krye të Skënderbeut, Andrea Agostineli vazhdon të jetë trajneri në detyrë i kampionëve. “Dua vetëm titullin me Skënderbeun, asgjë tjetër”, është shprehur tekniku italian, i cili shpreson që të vazhdojë të jetë në krye të korçarëve edhe në dy fazat e mbetura të kampionatit. Dy fazat e para nuk ishin shumë pozitive për Skënderbeun që ka lënë shumë pikë dhe mban vendin e tretë në tabelën e klasifikimit me tri pikë më pak se vendi i dytë dhe katër se vendi i parë.

Mirel Josa (Tirana)
Ashtu si një sezon më parë, bardheblutë po vuajnë në tabelën e klasifikimit dhe Mirel Josa po mundohet të bëjë gjithçka mirë në krye të Tiranës. Natyrisht që pritet të ketë përforcime në merkato në mënyrë që skuadra të luftojë për vendin e tretë. “Dëshira? Pres që të punojmë sa më tepër në drejtim të rritjes së nivelit të skuadrës në të gjitha drejtimet dhe të konsolidojmë sa më shpejt grupin për të arritur objektivat madhore që Tirana ka”, është shprehur trajneri i kryeqytetasve që duket se nuk ka shumë dëshirë të flasë për objektiva konkretë.

Mladen Milinkoviç (Luftëtari)
Tashmë gjirokastritët nuk janë më skuadra surprizë e këtij sezoni futbollistik, pasi kanë arritur të marrin pikë ndaj ekipeve pretendente për titullin kampion dhe po bindin në fushën e lojës. Meritë në këtë sukses ka edhe trajneri Milinkoviç, i cili nuk ka dëshira për objektivat e skuadrës së tij në këtë fundviti. “Dua që viti i ardhshëm të sjellë shëndet dhe gjithë të mirat për stafin, lojtarët dhe tifozët”, ka thënë Milinkoviç, që njihet për modestinë e tij edhe në deklaratat që bënpas rezultateve të mira që merr skuadra e tij në kampionat.

Armando Cungu (Vllaznia)
Për numrin një të stolit të Vllaznisë nuk kanë rëndësi dhuratat. Ai do vetëm që të gjithë të kenë mbarësi, duke qenë se Vllaznia objektivin kryesor e ka që të jetë në mesin e artë të tabelës së renditjes. “Unë nuk jam Babagjysh që të shkruaj letra apo bëj dhurata. Doja të uroja të gjithë tifozët dhe popullin e Shkodrës, gëzuar festat! Gjithashtu djemtë e ekipit dhe familjet e tyre që të kenë një vit sa më të begatë”, ka thënë Cungu, duke mos dashur të flasë në lidhje me dëshirat që ka për ekipin.

Gentian Mezani (Flamurtari)
Vlonjatët kanë vuajtur shumë në këtë sezon futbollistik dhe kanë pasur probleme financiare, të cilat janë zgjidhur. Dënime nga Disiplina me pikë dhe lojtarë që iknin e vinin. Megjithatë në këtë fundvit balancat duket se janë arritur dhe pritet që gjysma e dytë e sezonit të jetë më e mirë për kuqezinjtë. “Nga Babagjyshi i Vitit të Ri presim ndonjë përforcim të mirë aty ku kemi nevojë”, ka thënë trajneri Mezani, dukelëshuar disi edhe një sinjal për administratorin Sinan Idrizi, i cili ka premtuar se do të ketë lojtarë të rinj.

Gugash Magani (Teuta)
“Dhuratën dua që të ma japin lojtarët e mi në fushën e lojës në gjysmën e dytë të sezonit. Gjithashtu presim edhe përforcime nga merkato, për të plotësuar pozicionet ku kemi mangësi”, ka thënë trajneri i Teutës.

Ramadan Ndreu (Laçi)
Kurbinasit janë në zonën “e ftohtë” të tabelës së renditjes, megjithatë shpresojnë se në pjesën e mbetur të sezonit do të bëjnë gjithçka mirë për t’u rikthyer në mesin e artë dhe për të mbijetuar në Superiore. “Do doja vetëm më shumë pikë dhe asgjë tjetër”, ka thënë shkurt trajneri Ndreu, i cili është realist, duke qenë se janë pikërisht pikët ato që i nevojiten ekipit të tij.

Gerd Haxhiu (Korabi)
Duke qenë se Korabi ka qenë gjithnjë në lëvizje sa i përket stadiumit që kanë luajtur ndeshje, duke nisur nga Tirana, te Kukësi dhe së fundmi në Peqin, trajneri i dibranëve ka një dëshirë pikërisht mbi këtë aspekt. “Ndeshjen e parë të fazës së tretë do doja që ta zhvillojmë në Peshkopi, para tifozërisë sonë”, ka qenë dëshira e Gerd Haxhiut. Në stadium pritet të kryhen punime dhe synohet që të realizohen në kohë rekord që ekipi të kthehet në qytet./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: