DELVINË- Policia e Delvinës ka ndaluar një ish-efektiv të policisë së zonës të shpallur në kërkim për ‘shpërdorim detyre’. Sipas të dhënave zyrtare, Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Delvinë kanë ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, ndaj shtetasit Ilir Hamitaj, 46 vjeç, banues në Fier.

Shtetasi i mësipërm ka qenë i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka vendosur ndaj tij masën e dënimit “Arrest me burg” për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai është dërguar në ambientet e IEVP-së, Sarandë.

NGJARJA
Më 24 prill të vitit 2014, rreth orës 21:30, Shërbimet e Kontrollit të Brendshëm Gjirokastër janë njoftuar nga Shefi i Komisariatit të Policisë Delvine z.Vangjel Barka dhe nga Kryetari i Komunës Vergo të rrethit Delvinë, se dy punonjës të policisë të këtij Komisariati SPZ (Specialisti i policisë së zonës) i qytetit të Delvinës Thoma Veizi dhe SPZ i Komunës Vergo, Ilir Hamitaj, ne fshatin Fushe-Verri të Komunës Vergo kishin ndaluar një mjet, të cilin Komuna dhe Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve e kishin punësuar për riparimin e një segmenti rrugor të dëmtuar dhe që ishte bërë i pakalueshëm, si rrjedhojë e reshjeve të shiut që kishin rënë dy ditët e fundit.

Sipas informacioneve të SH.K.B-se bazuar në të dhënat e servirura prej Kryetarit të Komunës Z. Fiqiri Kullai, të dy këta punonjës policie, duke qenë në gjendje të dehur, me veprimet e tyre po bëheshin pengesë për kryerjen e punimeve të rrugës së dëmtuar, duke arritur deri atje sa njeri prej tyre, i ka nxjerrë edhe armën drejtuesit të kamionit, që po kryente transportin e materialeve inerte (blloqeve tëbetonit) për rregullimin e rrugës.

Lidhur me këtë ngjarje, shërbimet e SHKB-se kanë komunikuar disa herë me Shefin e Komisariatit të Policisë Delvine, i cili u ka konfirmuar se Kryetari i Komunës Vergo dhe Drejtori i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes se Rrugëve z.Bato Çuçuri, kishin ngritur shqetësim të madh për këtë veprim të kryer prej punonjësve të policisë, të cilët po bëheshin pengesë për vazhdimin e riparimit te rrugës së dëmtuar.

Në këto kushte oficerët e policisë gjyqësore të SHKB-Gjirokastër kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Delvinë dhe kanë kryer veprimet hetimore në dokumentim të ngjarjes së ndodhur.

Nga të dhënat dokumentare dhe provat e grumbulluara në hetim dhe në gjykim të kësaj çështjeje, rezultoi e provuar: se ishte pikërisht punonjësi i policisë Ilir Hamitaj, ai që kishte kryer veprime, në kundërshtim me përmbushjen e detyrës duke konsumuar veprën penale te “Shpërdorimi i detyrës”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: