NGA AURORA KOROMANI* TIRANE- Kemi frikë të rrimë në shtëpi. Edhe një zhurmë e vogël na duket sikur po na vënë sërish tritol poshtë shtëpisë”. Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij 25-vjeçari Armando Frengjaj, i cili mëngjesin e së martës ka qenë në banesën e tij, në pallatin e kryekomisarit të policisë, Alfred Nomani, të cilit i vendosën te dera afro 400 gramë tritol. Armando jeton në të njëjtin kat me ish-shefin e Komisariatit Nr.3, dhe në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai rrëfen momentet e ankthit që ka përjetuar bashkë me babanë pas shpërthimit. “Nuk dinim se çfarë të mendonim në ato momente. Kur hapa sytë, pashë që dera e jashtme e blinduar, nga forca e shpërthimit kishte ardhur te dhoma ime e gjumit”, – rrëfen Armando. Armando vë në dispozicion të “GSH”-së fotot e para gjysmë ore pas shpërthimit në banesën e tij mëngjesin e së martës, në rrugën “Arben Minga” pranë QSUT-së.
Armando, sa ka qenë ora në momentin që ndodhi shpërthimi në banesën e kryekomisarit Nomani, e cila ndodhet në të njëjtin kat ku banoni edhe ju?
Ka qenë rreth orës 4 të mëngjesit. Banesa ime ndodhet në katin e pestë, aty ku ndodhet edhe shtëpia e shef Fredit, dhe për shkak të sasisë së madhe të tritolit të vendosur në murin e shtëpisë së tij, shpërthimi është ndjerë shumë fuqishëm edhe në banesën time, ku unë kam qenë me babanë tim.

Çfarë menduat se po ndodhte në momentin që ndjetë shpërthimin?
Në ato momente nuk dinim se çfarë të mendonim më parë, nuk e dinim se çfarë po ndodhte, por meqë shpërthimi ishte shumë i madh, e kuptuam se bëhej fjalë për ndonjë bombë apo lëndë plasëse. Aq i madh ishte shpërthimi, sa në momentin që hapa sytë, pashë derën e jashtme të blinduar e pashë te dhoma ime e gjumit. Nga shpërthimi u thyen të gjitha xhamat e dyerve të shtëpisë, si dhe u dëmtuan pllakat e korridorit. Nëse unë ose babai im do ishim në korridor, as që e mendoj se çfarë do na kishte ndodhur.

Pas shpërthimit, patë ndonjë lëvizje të çuditshme poshtë pallatit?

Pas 5 minutash kam dalë jashtë, sepse në fillim pata frikë se ndonjë person mund

të vinte të na vriste, pasi nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Pashë vetëm banorët e pallatit,

nuk vura re ndonjë person të dyshimtë. Lajmëruam policinë, që në fakt erdhi shumë shpejt. Pastaj lajmëruam shef Fredin dhe e lajmëruam për atë që kishte ndodhur. Por, ajo që nuk kuptojmë ne është se si e kanë vënë autorët tritolin, sepse kati ynë ka qenë i mbyllur me derë hekuri dhe për këtë arsye mendoj se kanë qenë dy persona; njëri ka vënë tritolin dhe tjetri e ka mbajtur nga poshtë, sepse në mënyrë tjetër nuk mund ta vendosnin, pasi nuk futeshin dot, dhe vendi ku e kanë vënë tritolin ishte i vetmi vend që mund të arrinin nga kati poshtë. Edhe natën tjetër patëm shumë frikë, sepse katër familje ishim pa dyer, pasi nuk kishim mundësi që t’i vinim dhe pothuajse nuk kemi fjetur gjithë natën, sepse kishim edhe frikë.

Nuk ka mundësi që ju ta keni harruar derën e hekurit hapur?

Jo, nuk ka mundësi, sepse e siguronim çdo natë, pasi edhe një herë më parë sheshpushimin e katit tonë e kanë lyer me benzinë; edhe atëherë shef Fredi nuk ishte

në shtëpi. Kam qenë unë me vëllanë që ndjemë flakët dhe shpëtuam, dhe pas asaj vendosëm derën e hekurit.

Me kë mendoni ju se e kanë pasur autorët dhe përse?

Këtë duam të dimë edhe ne, se me kë e kanë pasur autorët, sepse familja ime nuk ka konflikte me njeri, por me sa di unë, edhe familja e shef Fredit nuk ka probleme.

Duam të dimë se përse autorët e kanë vënë tritolin, që, cilado qoftë arsyeja ose

për këdo qoftë, të paktën të marrim masa dhe të ruhemi, sepse tani kemi frikë të rrimë

në shtëpi. Çdo zhurmë të vogël që dëgjojmë, kemi frikë se mos na kanë vendosur

tritol sërish. Të paktën shteti të gjejë përgjegjësit dhe të rrimë të qetë edhe ne.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: