TIRANË- Dy prindër kanë rrëfyer sot në emisionin “Me zemër të hapur”, dramën e vërtetë që po përjetojnë prej muajit mars të vitit 2015 nga policia e Durrësit. Familja Masha i është drejtuar emisionit në News24 për të kërkuar drejtësi për djalin e tyre ose ndryshe ata kërcënojnë me vetëgjyqësi

Djali i tyre akuzohet si organizator i grabitjes së banesës së administratorit të komunës Bubq në Fushë-Krujës, Qemal Daci, ngjarje e ndodhur më 12 mars të vitit të kaluar.

5 të rinj kanë hyrë në mbrëmje në banesën e Dacit duke hapur derën me levë, grabitësit kanë lidhur me fasheta makinash në duar dhe me tel telefoni ne këmbë të zonjën e shtëpisë Rudina Daci, dhe kanë arritur të grabisin në katin e dytë të banesës një shumë parash prej 10 mln lekësh të vjetra. Për ngjarjen u arrestuan 5 persona si dhe kushëriri i administratorit Murat Masha, i cili është dënuar me 12 vite burg për këtë grabitje ku mbeti e dëmtuar e zonja e shtëpisë dhe një fqinje.

Prindërit e të riut, të afërm me administratorin e komunës, thonë se arrestimi i djalit ishte i dyshimtë dhe me prapavijë. Sipas tyre, gjykata e ka dënuar djalin pa pasur prova.

Në një komunikim live ka folur edhe vetë i dënuari Murat Masha, i cili thotë se po çmendet në burg pasi është bërë padrejtësi me të.

Murat, pse mendon se je i pafajshëm? A i njeh ti ata 5 persona që janë arrestuar se kanë bashkëpunuar me ty?
Nuk njoh asnjë prej atyre që janë arrestuar. Absolutisht!

I ke telefonuar ndonjëherë?
Nuk i kam telefonuar ndonjëherë. S’kam dijeni për vjedhjen. Nëse kam unë gisht të më dënojnë me pushkatim. Unë jam i pafajshëm.

A të kanë thënë gjatë gjykimit nëse të njohin?
Më kanë thënë “nuk e njohim”. Edhe para policisë kanë thënë “nuk e njohim”. Nuk kam të bëj fare me ta.

Ti thua se po dënohesh padrejtësisht, sipas teje kush ka synim që të ka përfshirë ty?
Nuk di gjë. Nuk kam të bëj hiç me ta. Ka patur dyshime, se kam bërë llafe me djalin e Qemalit 2-3 ditë para. U pajtuam, u rregulluam, pimë kafe. Unë s’kam dijeni fare, po bëj burg kot, po luaj mendsh këtu në burg.

Ti thua se për shkak të një grindjeje?
Kam pas fjalë. Unë kam qenë tek karburanti, me motrën time duke marrë karburant.

Sa beson në pafajësinë tënde?
Unë dua të dal e vërteta. Kanë bërë padrejtësi në mua. Jam duke luajtur mendsh, jam duke bërë burg kot.

Si do ta provosh pafajësinë?
Po më bëhet padrejtësi e madhe. Po vonohet e vërteta, të zbardhet sa më shpejt.

ADMINISTRATORI I KOMUNËS: KAM BESIM TEK DREJTËSIA
Pronari i banesës ku ka ndodhur grabitja, për të cilën akuzohet si autor kryesor 30-vjeçari Murat Masha, administratori i komunës Bubq, Qemal Daci thotë se ka besim tek drejtësia, por se ai vetë nuk e ka denoncuar kushëririn e tij.

“5 çuna kanë hyrë në shtëpi, i kanë vunë armët, i kanë shtrirë përtokë, i kanë kërcënuar për të marrë paratë. Unë e kam kontaktuar në rrugë një nga grabitësit. Murat Mashën e kanë denoncuar ata persona që janë dënuar nga gjykata, jo unë”, ka thënë Daci.

Ju e besoni që informatori është Murat Masha?
Atë e di gjykata, jo unë. Unë e kam gjakun tim Muratin. Jam administrator i komunës sot. Nuk e kam denoncuar Murat Mashën për këtë problem. Por e ka vendosur gjykata dhe e ka dënuar si autorin kryesor të grabitjes.

Ju besoni në pafajësinë e Muratit?
Atë e vendos gjykata dhe jo unë.

Mund të jetë një gabim njerëzor nga ana e gjykatës? Prindërit e Muratit thonë se ai është i pafajshëm…
Prindërit e Muratit jo vetëm që nuk kërkojnë falje, por nuk lënë gjë pa thënë rrugës. Atë nivel kanë ata dhe atë djalë kanë rritur.

Pra, ju besoni në fajësinë e Muratit?
Unë besoj tek vendimi i gjykatës dhe tek ato çfarë kanë deklaruar ata që janë arrestuar.

PRINDËRIT: QAJMË DITË E NATË, DUAM DREJTËSI
Edhe prindërit e Murat Mashës nga studio e emisionit “Me zemër të hapur” kanë bërë thirrje për drejtësi. Ata thonë se nuk ka asnjë fakt që mban djalin e tyre brenda dhe se djali i tyre është i pafajshëm.

Nëna Zela: E kam përjetuar jashtë mase, me lot në sy ditë e natë. Djali më thotë jam i pafajshëm, më zgjidh drejtësinë. Nuk ka asnjë lloj fakti. 5 personat e arrestuar kanë thënë që nuk e njohin djalin tim. As nga tabulatet.

Babai Besimi: Ky është kryetar komune. Shokët e tij dhe miqtë e tij. Një oficer policie më ka thënë mos merr avokat. I thashë dua drejtësi, le të kalbet në burg. Qemali ka qenë prezent kur është kapur hajduti. Informatori mund të jetë jashtë dhe në vend të tij është dënuar djali ynë.

Avokati tha Besim Masha, jam dakord se djali jot s’ka bërë asgjë. Djali ka qenë tek makina e grabitësit, sapo u kthye nga banesa e vajzës sime.

Cili është apeli juaj?
Të vihet drejtësi. Gjykata duhet ta zgjidhë sa më shpejt me fakte. Gjykata duhet të më bindë. Nëse provohet edhe një fakt unë ul kokën. Dua drejtësi, dua një provë. Shpresoj për drejtësinë.

Zonja Zela, çfarë të shqetëson më tepër në këtë histori?
Kam frikë se do të kemi përplasje me zotin Qemal se ai thotë e ka bërë djali jot. Unë them nuk e ka bërë. Ku ta gjej këtë drejtësi unë.

Babai: Sa më shpejt qeveria se nuk mund të rroj më aty.

AVOKATI BEQIRI: MURATI NË BURG NGA MARIFETET E HORRAVE BRENDA POLICISË
Edhe avokati i emisionit “Me zemër të hapur”, Idajet Beqiri deklaroi se 30-vjeçari Murat Masha është i pafajshëm. Ai tha se gjykata ka bërë një gabim me dënimin e tij dhe se nuk korrespondon asnjë fakt.

“Gratë i kanë përcaktuar mirë autorët. Kanë thënë 20-21 vjeç dhe ashtu dolën siç thanë të 5 autorët. Murati ka pësuar një aksident dhe ka qenë me dorën në allçi. Dhe nuk e fsheh dot moshën se është 30 vjeç. Janë bërë përgjimet ambientale me të tërë këta. Të 5 ata të tjerët e kanë nxjerrë njeri-tjetrin, ndërsa emrin i Muratit nuk përmendet asnjëherë.
Përveç këtyre 5 ka qenë një i gjashtë, policia e di. Murati është bedeli i këtij të gjashti. Sepse në vendin e ngjarjes kanë qenë 6. Ne e dimë kush është ai, ja thamë gjykatës. Por ai është i fuqishëm. Gjykata na tha nuk vemi dot atje. Murati nuk ka qenë kur ka ndodhur grabitja në orën 19:00. Kishte çuar motrën në Zall të Fushë Krujës dhe po kthehej, ka qenë në karburant duke furnizuar makinën dhe kjo vërtetohet nga kamerat e sigurisë së karburantit. Vetë Qemali, pronari i shtëpisë e ka kapur një prej autorëve. Emrin e informatorit të grabitësve ja kemi thënë edhe policisë. Plus që atij i ka dalë emri në përgjime. I ngatërrojnë emrin, i kanë hequr një germë nga emri, marifetet e horrave brenda policisë”, tha avokati Beqiri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: