Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim, ndërsa në pranga ka rënë një 29-vjeçar.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Mikelo Jaha, banues në Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Finish”.

Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në Ksamil ndodhej një shtetas në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Finish”, në kuadër të të cilit u bë kapja e shtetasit:

Mikelo Jaha, 29 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin e datës 19.01.2021, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Më datë 03.05.2019, nga strukturat e DVP Gjirokastër, në vendin e quajtur “Liqeni i fshatit Levan”, janë gjetur të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar një sasi farash të bimëve narkotike dhe një sasi lënde narkotike kokainë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 29-vjeçari është autor i këtyre veprimtarive kriminale.

Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Gjirokastër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb