Një 33-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar nga Policia Shqiptare me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ai ishte dënuar me 8 vjet e 6 ditë burgim nga Gjykata e Apelit të Napolit për një sërë veprash penale të rënda.

I ndaluari është shtetasi Erjon Mera, 33 vjeç, i cili kërkohej nga drejtësia italiane për “Grabitje me armë”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, në kuadër të Kodit Penal Italian.

Arrestimi i tij u bë si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit, në bashkëpunim me Seksionin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.

Operacioni u zhvillua në koordinim të ngushtë me autoritetet italiane, pas një shkëmbimi informacioni përmes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali, po ndjek procedurat për ekstradimin e Erjon Merës në Itali, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb