Nëse gjyqtarja Enkelejda Hoxha nuk do t’i falte 5 vite e gjashtë muaj burgim dhe ta lironte me kusht, Hekuran Billa do të ishte ende brenda qelive e për rrjedhojë nuk do të ishte ekzekutuar, sikurse ndodhi mbrëmjen e së enjtes, kur ai u qëllua për vdekje në Komunën e Parisit, në një nga zonat më të populluar në Tiranë.

Drejtësia bëri mëkatin e radhës. Në 2019, pas disa vendimesh për ulje dënimi, gjyqtarja e Krujës, nën hetim tashmë nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, firmosi verdiktin final. Ti hapte derën e burgut, Hekuran Billës, i cili ishte dënuar për vrasje në Britaninë e Madhe.

Në dy vitet e lirisë, 40-vjecari mundi të hynte në rrugën e biznesit. Megjithatë, kundërshtarët e ndoqën hap pas hapi dhe e qëlluan brenda makinës së tij luksoze. Po si arriti Hekuran Billa ti shpëtonte drejtësisë?

Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kurores Snaresbook Angli, pasi në tetor të 2006, në një lokal në rrugën Park Royal, ai qëlloi me breshëri në drejtim të një grupi personash, duke lënë të vrarë bashkëkombasin e tij, Prel Marku si dhe të plagosur Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.

Në 2013, ai u ekstradua drejt Shqipërisë dhe nisi përballjen me drejtësinë e vendit tonë. Gjykata e Tiranës vendosi ta njohë vendimin penal të huaj dhe dënoi përjetësisht Billën. Por, favorizimi i tij u bë nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi ta prishë vendimin e shkallës së parë dhe dënoi Billën, me vetëm 25 vite burgim.

Me vendimin nuk ishte e kënaqur prokuroria, e cila bëri rekurs, por për shkak se Gjykata e Lartë hyri në kolaps, ajo dosje u mbulua nga pluhuri.

Nga ky moment, Hekuran Billa, nga Kukësi ndërtoi një strategji dhe ia doli të rifitojë lirinë. Ai fitoi disa ulje dënimi radhazi.

Në shkurt të 2019, ai bëri lëvbizjen e radhës. Iu drejtua Gjykatës së Krujës, me kërkesë për liri me kusht. Në vendimin e saj, gjykatësja Enkelejda Hoxha shprehet se Hekuran Billa duhet të lirohet, pasi ka patur sjellje të mirë në burg, si dhe duhet të kujdeset për prindërit e sëmurë.

Ajo arsyeton se i dënuari ka mundësi të riintegrohet në shoqëri dhe të mos kryejë vepra penale. Ky vendim i Hoxhës, që asokohe nuk u ankimua nga prokuroria, tashmë po verifikohet nga Insopektori i Lartë i Drejtësisë. E njëjta gjyqtare ka liruar ndërkohë me kusht të tjerë emra të njohur të botës së krimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb