TIRANE-Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza ka dalë sot në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka zbuluar se gjyqtari Admir Thanza ka qenë i dënuar për vjedhje në Itali, dënim që nuk e kishte deklaruar në formular.

Në konkluzionet e KPK, ka rezultuar se gjyqtari Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë. Vetë gjyqtari Thanza e ka pranuar dënimin në shtetin italian, por theksoi se nuk e ka kryer krimin për të cilin është akuzuar, por e ka marrë përsipër për shkak të rrethanave familjare.

“Nuk e kam kryer unë aktin e vjedhjes, por një person tjetër, ndërsa e mora përsipër për shkak të rrethanave familjare. Shkova në Itali për të parë nipin 9-vjecar që vuante nga një sëmundje e rëndë. Nëna e tij që bëri gabimin, ishte kujdestarja ligjore dhe nëse ajo depërtohej nipi rrezikonte jetën. Unë sakrifikova dhe e pranova. Jam krenar që e bëra këtë akt human dhe nuk dua të më paragjykoni sepse ai sot është 28 vjeç dhe është jurist jashtë vendit. Më trajtoni njëlloj si të gjithë gjykatësit e tjerë“- ka thënë gjyqtari Thanza, ndërsa nuk i ka mbajtur dot lotët.

Trupa gjykuese e KPK pritet të marrë vendimin përfundimtar për gjyqtarin më datë 17 korrik në orën 10:00 nëse do kalojë apo jo vettingun.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb