Ekstradohet nga Gjermania Genc Tafili, i shpallur në kërkim dhe arrestuar për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Tafili është ekstraduar në vendin tonë dhe është dërguar në burgun e Fierit.

Tafili ishte arrestuar në Aeroportin e Frankfurtit, ku pas kontrollit ka rezultuar me kartelë të kuqe, pasi ndaj tij kishte një urdhër-ndalimi ndërkombëtar për vrasje.

Autoritetet gjermane kanë njoftuar menjëherë autoritetet në Tiranë, të cilët nisën më pas procedurat për ekstradimin e Tafilit drejt Shqipërisë. Tafili u kap teksa po bënte tranzitin në Frankfurt, pasi ka qenë duke udhëtuar për në Turqi.

Vrasja e kryepolicit Zylyftari ka ndodhur në gusht të vitit 2000, pas një shkëmbimi zjarri me dy vëllezërit Admir e Genc Tafili, ndërsa mësohet se Genci është arrestuar më 4 janar në Gjermani.

Kryepolici i Shkodrës, Arben Zylyftari, u vra në krye të detyrës me një breshëri plumbash automatiku gjatë drejtimit të një operacioni kundër dy personave të kërkuar.
Tafili ishte dënuar me 25 vite për vrasjen e Zylyftarit, por u lirua me kusht nga ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha, e cila u dënua më pas nga GJKKO për korrupsion.
Apeli e prishi vendimin e Gjykatës së Krujës dhe Tafili u arrestua jashtë vendit, në Gjermani. Ai është vëllai i Admir Tafilit i dënuar me burg përjetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb