Në një intervistë për News24, asistent i Zëvendës Presidentit për politikën e jashtme njëkohësisht, i dërguari special i presidentit të Azerbajxhanit Aliyev, zoti Elçin Amirbayov tregon për herë të parë për ftesën që Azerbajxhani i ka bërë Shqipërisë për t’i ofruar gaz përmes projektit të gazsjellësit TAP. Por për ta realizuar këtë duhet që Shqipëria të ndërtojë vetë rrjetin e shpërndarjes.

Amirbayov shprehet se Azerbajxhani do ishte i kënaqur nëse Shqipëria do i thotë ‘PO’ ofertës për të qenë në mesin e atyre vendeve që përfitojnë gazin azer. Amirbayov foli edhe për luftën në Ukrainë, ku tha se Azerbajxhani mbështet integritetin territorial të saj por theksoi edhe mbështetjen e madhe që Rusia i ka dhënë Azerbajxhanit pas luftës 44 ditore në shtatorin e vitit 2020. I dërguari special i presidentit azer tha se Azerbajxhani do të jetë në krah të Europës në rastin e një skenari nëse Rusia ndërpret gazin europianët. Ju ftojmë të ndiqni intervistën dhënë për televizionin News24.

Zoti Amirbayov, ju falënderoj që pranuat ftesën tonë për të folur për televizionin News 24, jemi të kënaqur që ju kemi këtu!
Faleminderit Aurora, është një kënaqësi të jem këtu, faleminderit për ftesën!

Zoti Amirbajov, cili është qëllimi i vizitës suaj në Tiranë?
“Shqipëria dhe Azerbajxhanit kanë marrëdhënie diplomatike duke nisur nga shpallja e pavarësisë së Azerbajxhanit dhe vitin tjetër ne do të festojmë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhenieve diplomatike mes dy vendeve tona. Gjithashtu ne gjatë kësaj kohe kemi mbajtur dialog politik, por kemi gjithashtu bashkëpunim ekonomik që prek disa fusha si ajo energjitike. Qëllimi i vizitës sime është për t’i dhënë shtysë disa dinamikave në kuadër të kontekstit politik ndërmjet dy vendeve tona. Kam ardhur me një qëllim specifik, të informoj lidershipin e Shqipërisë sa i përket pozicionit të Azerbajxhanit në periudhën e post konfliktit që kemi pasur me Armeninë në Kaukazin jugor. Ju e dini në nëntor të viti 2020, përfundoi lufta e dytë në Karabak, me fitoren e Azerbajxhanit dhe pas 30 vitesh të pushtimit të huaj, Azerbajxhani çliroi territoret e veta. Kështu u hap një faqe e re në këtë rajon, prandaj me këtë rast ne duam  që të informojmë shtetin shqiptar të cilin ne e konsiderojmë pasi është një vend mik i Azerbajxhanit, të shprehim vizionin për ardhmërinë e rajonit që po flas si dhe marrëdhëniet me fqinjët tanë, duke marrë parasysh dhe faktin që Shqipëria në 2022 nisi mandatin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB. Kjo tregon edhe për rëndësinë e rritjes së rolit tuaj në arenën ndërkombëtare.”

Zoti Amirbayov, çfarë mund të thoni sa u takon marrëdhënieve mes  Azerbaxhanit dhe Shqipërisë dhe më konkretisht midis Bakut dhe Tiranës?
“Siç e përmenda gjatë 30 viteve të marrëdhënieve diplomatike ne kemi themeluar një relatë solide sa i takon dialogut politik në nivele të larta por në të njëjtën kohë kemi pasur grupe bilaterale pune në fushën ekonomike veçanërisht sa i takon bashkëpunimit në industri  dhe teknologji, kjo në kuadër të  marrëdhënieve ekonomike biletarale. Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit njihet si një vend i hapur për të dencentralizuar bashkëpunimin me vende dhe kryeqytete të tjera”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

A besoni se është e  nevojshmeqë vendet tona të forcojnë kontaktet e tyre të ndërsjella për të identifikuar fusha specifike të interesit në përpjekje për bashkëpunim të mëtejshëm?
“Besoj se po pasi siç e përmenda, dialogu i shkëlqyer politik, si dhe bashkëpunimi ekonomik i deritanishëm i ka hapur shteg bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët dhe nga kjo pikëpamje ne kemi institucionalizuar kornizën dhe grupet e punës”.

Marrëdhëniet mes vendeve tona sot janë të fokusuara kryesisht në fushën ekonomike. Kur flasim për Azerbajxhanin, mendja na shkon menjëherë tek TAP-i. Jam në dijeni për një ftesë që qeveria shqiptare ka marre nga ana juaj për të përfituar nga gazi azer, por fillimisht Shqipëria duhet të ndërtojë vetë infrastrukturën si dhe rrjetin. A mund të hidhni më shumë dritë në lidhje me këtë?

“Po, do e nis duke thënë se në dhjetor të 2020, Azerbajxhani së bashku me partnerët tanë, festoi përfundimin e korridorit të Gazsjellësi Trans Adriatik më rëndësi strategjike energjetike. Shqipëria është pjesë e gjashtë vendeve ku kalon korridori i gazit. Sigurisht në fillim të shtatorit të këtij viti, në Baku u mbajt takimi i 8-të Ministror i Këshillit Këshillimor të Korridorit Jugor të Gazit. Qeveria shqiptare mori pjesë në këtë takim dhe ishte një demonstrim i azerëve pra i Azerbajxhanit dhe i partnerëve të saj siç është Komisioni Europian por edhe i gjithë vendeve ku kalon ky korridor i rëndësishëm. U diskutua për të forcuar më tepër rezultatet dhe përfitimet që mund të merren nga ky projekt  por u fol edhe për të ardhmen, pasi vitin e kaluar Azerbajxhani ka eksportuar përmes sistemeve të transmetimit 19 miliardë kub gaz për në Gjeorgji, Turqi, Itali dhe në disa vende të tjera si Bullgaria. Sigurisht ne do ishim të kënaqur të kishim Shqipërinë në mesin e këtyre vendeve që përfitojnë nga gazi azer. Por ashtu siç theksoi edhe presidenti i Azerbajxhanit Aliyev gjatë mbledhjes, ne do ishim të lumtur nëse shikohet kjo mundësi deri në kohën kur sistemi i projektit të gazit do të përfundojë në Shqipëri”.

A do të duhet që ne të paguajmë vetë për pjesën e infrastrukturës në mënyrë që të përfitojmë gazin azer?
“Në thelb, ndërtimi i rrjetit dhe infrastrukturës për shpërndarjen e gazit është diçka që normalisht bëhet nga qeveritë përkatëse por ne gjithashtu e kuptojmë se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera më Bashkimin Europian si dhe me Komisionin Europian, ju tashmë jeni vend kandidat, di gjithashtu se partnerë të tjerë që keni,  po shikojnë për mënyra dhe për rrugë sesi mund të jenë pjesë e kësaj pra që tu sigurojnë gazin. Përpara se Azerbajxhani ta bëjë këtë në fakt nuk bëhet fjalë vetëm për volumet e gazit që Azerbajxhani mund të ketë në të ardhmen për ju, por ka nevoje edhe për një kornizë ligjore që duhet parë dhe konsideruar, pasi për të rritur volumet e gazit që eksportohet ne duhet të qartësojmë detajet teknike për tu zgjeruar sa i përket korridorit të gazsjellësit TAP. Pra nuk është se kjo varet vetëm nga ana jonë, edhe pse ne jemi shteti udhëheqës, por si fillim ne duhet ta shikojmë këtë çështje me Komisionin Europian si dhe me vendet e tjera që janë pjesë e këtij projekti”.

A do ta konsideronte Azerbajxhani Shqipërinë për të kryer ndonjë investim tjetër përveç projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik?
“Mënyra më e mirë për të parë për mundësi të reja për të investuar apo forma të reja për të bashkëpunuar është shfrytëzimi i potencialeve ekzistuese pasi ne kemi bashkëpunim bilateral ekonomik, projektet duhet të kenë mbështetjen si të Azerbajxhanit dhe Shqipërisë. Jam shumë i sigurt që në Azerbajxhan ne jemi për diversifikim të ekonomisë sonë. Ashtu siç e përmende ti Aurora, e di që në Shqipëri Azerbajxhani njihet vetëm si vend me gaz,  por gjatë 10-vjeçarit të fundit Azerbajxhani ka investuar shumë për të diversifikuar ekonominë duke investuar në fusha të lidhura me energjinë, duke përfshirë edhe turizmin p.sh. Për fat të keq Azerbajxhani nuk njihet si një destinacion turistik, kjo edhe për shkak të pandemisë. Turizmi ka vuajtur jo vetëm në Azerbajxhan por edhe në mbarë botën. Shpresoj se kur kjo të përfundojë, do të krijohen mundësi të reja për popullin shqiptar dhe atë azer që të vizitojnë vendet e njeri-tjetrit, të mësojmë më shumë për njeri-tjetrin. Jam e sigurt se ka shumë për të eksploruar, dhe për ta konsideruar njëri-tjetrin miq”.

Zoti Amirbayov, ne jemi kurioz të dimë më shumë për situatën e pas konfliktit në vendin tuaj. A po e respektojnë Armenia dhe Azerbajxhani marrëveshjen e tyre për armëpushimin humanitar të arritur në Moskë?
“Po duhet të them se në fund të luftës së dytë të Karabakut, më 10 nëntor të vitit 2020, u nënshkrua një marrëveshje mes liderëve të Azerbajxhanit, Armenisë dhe Federatës ruse. Marrëveshja konkretizonte masat që duhet të ndërmerreshin për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit por edhe për të vendosur në terma afatgjatë paqen dhe stabilitetin në Kaukazin Jugor e që prej asaj kohe, Azerbajxhani ka qenë mjaft serioz në implementimin e asaj pjese ku jemi zotuar. Në terma të përgjithshme Azerbajxhani është i kënaqur me vullnetin politik të Rusisë, por për aq sa Armenia është e shqetësuar fatkeqësisht ne nuk mund të themi se ata janë në një linjë me zotimet që bënë pasi ne jemi duke pritur që Armenia të tërheqë gjithë forcat e armatosura të saj nga disa vende të territorit tonë. Ky është një detyrim që qeveria armene dhe kryeministri armen kanë marrë përsipër kur e nënshkruan atë marrëveshje. Pasi kjo të ndodhë sigurisht ne do të shikojmë për të rihapur linjat e komunikimit,  ku përfshihet edhe rihapja e kufijve si dhe demilitarizimi dhe demarkimi i zonës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Siç mund ta imagjino si rezultat i kësaj lufte pas 30 vjet pushtim pothuajse 10 mije kilometra katrorë e territorit tonë është shkatërruar tërësisht nga lufta përfshirë edhe trashëgiminë kulturore. Tani Azerbajxhani është në proces rindërtimi dhe rehabilitimi të këtyre zonave por ne po mundohemi të shtyjmë axhendën e paqes me Armeninë. Eventualisht ne do i normalizojmë marrëdhëniet me fqinjin tonë. Në kuadër për të promovuar bashkëpunim rajonal, pasi siç e dini për shkak të pushtimit të territoreve azere nga ana e Armenisë nuk kemi pasur mundësi për bashkëpunime rajonale përgjatë këtyre viteve. Por tani që konflikti ka përfunduar. Nuk ekziston më konflikti në Nagorno Karabak, unë mendoj se mundësitë janë aty për tre vendet tona për Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin kështu do mund të bashkëpunojmë edhe me vende si Rusinë, Iranin dhe Turqinë. Pra ky bashkëpunim rajonal tre plus tre, kjo është formula më e mirë për të konsoliduar shpirtin e stabilitetit dhe të paqes afatgjatë në rajonin e Kaukazit jugor”.

Si e shihni ndikimin rus në çështjen azerbajxhano-armene? Të mirë, të keqe apo neutral?
“Do të ishte e vështirë për ta përmbledhur vetëm në një fjalë, por ne duhet të shikojmë faktet. Pas 44 ditëve luftë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit pas luftës së dytë të Karabakut, e cila u provokua nga Armenia, pasi ishin ata që nuk respektuan armëpushimin në 27 shtator të 2020. Pas 44 ditësh ishte Rusia ajo e cila mundësoi t’i jepte fund armiqësive ushtarake, dhe luajti një rol kryesor si ndërmjetëse e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Për këtë arsye, unë mendoj se kjo situate varet shume nga vendimet e tyre politike qe te krijohet një marrëdhënie midis dy shteteve”.

Zoti Amirbayov, a keni gjetur mbështetje për integritetin territorial të Azerbajxhanit nga qeveria jonë në Tiranë?
“Po, është e vërtete. Ne të gjithë e mbajmë mend deklaratën e Presidentit të Shqipërisë, zotit Ilir Meta ne vitin 2020, kur ai rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial sovran te Azerbaxhanit, dhe patjetër dhe kjo për ne është një shenjë themelore e mbështetjes tuaj dhe një marrëdhënie miqësore midis shteteve tona sepse Azerbaixhan i jep shume rendësi ligjeve ndërkombëtare. Unë mund të them që kemi lidhje bashkëpunimi të shkëlqyera me Shqipërinë, dhe me organizata ndërkombëtare si OKB, OEC (Organizata për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik), etj”.

Cili është qëndrimi i Azerbajxhanit për luftën Rusi? Në kohen që ne po flasim Presidenti rus Putin po kryen operacione ushtarake në Ukrainë…
“Ju e dini se Azerbajxhani është një shtet që gëzon një nivel të lartë marrëdhëniesh me të dyja shtetet si Ukrainën edhe Federatën Ruse. Neve na vjen shumë keq dhe jemi shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit sepse ajo çka ne jemi duke parë tani ka te bëjë më humbje jetësh njerëzore, jetë të pafajshme, por gjithashtu edhe me shumë shkatërrim. Kjo është arsyeja pse Azerbajxhani ka mbështetur gjithmonë zgjidhjen paqësore të çdo mosmarrëveshje apo situatash konfliktuale, dhe si një shtet që ka qenë gjithmonë pro ligjit ndërkombëtar. Mendoj se ne duhet t’i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë gjithë çka duhet qe të ndalë menjëherë këtë gjakderdhje, shkatërrimin, si dhe humbjen e  jetëve”.

Pra, a e mbështet Azerbajxhani integritetin territorial të Ukrainës në këto momente?
“Patjetër që Azerbajxhani siç e thashë, si një shtet që e respekton legjislacionin ndërkombëtar, ne mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”.

A ka Azerbajxhani ambicie për të qenë pjesë e NATO-s në të ardhmen?
“Azerbajxhani nuk e ka shprehur asnjëherë në mënyrë eksplicite dëshirën për tu integruar në Aleancën e Atlantikut Verior, por në të njëjtën kohë, si partner të NATO-s, Azerbajxhani ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Azerbajxhani ka marrë pjesë për shumë vite në Misionet Paqeruajtëse të drejtuara nga NATO, dhe sigurisht që ne ishim një nga shtetet e fundit që tërhoqën kontingjentin e tone ushtarak nga Afganistani. Mbështetja ndaj këtij misioni të NATO-s ishte një tjetër demonstrim i besueshmërisë së Azerbajxhanit si një partner i qëndrueshëm i NATO-s. Por siç është përmendur në shumë raste, Azerbajxhani nuk bën pjesë në ndonjë aleancë ushtarake. Ne jemi pjesë e Lëvizjes së Vendeve të Pangazhuara . Meqë ra fjala, Azerbajxhani është tashmë prej tre vitesh në postin drejtues të kësaj lëvizje. Qëllimi kryesor i kësaj lëvizje është që të sigurojë që shtetet të jenë të afta të mbrojnë interesat e tyre kombëtare pa u angazhuar me ndonjë bllok ushtarak apo politik. Sigurisht që ne sërish mbështetemi në normat dhe parimet e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu edhe parimet Bandung të Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, të cilat flasin për rëndësinë e respektit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve”.

Komisionerja e Energjisë se Bashkimit Evropian, Simson ka vizituar Azerbajxhanin si pjesë e një përpjekjeje për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Bashkimi Europian po e quan Azerbajxhanin një “partner të besueshëm per furnizimin me energji”. Nëse Rusia ndërpret gazin, a do të jetë Azerbajxhani aty për Evropën? Çfarë mendoni ne lidhje me këtë temë?
“Më lejo të filloj duke thënë që fakti që dy Komisionerë Evropiane, komisioneri për energjinë, dhe gjithashtu komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, morën pjesë në takimin e fundit ministerial në Baku, tregon se sa të rëndësishme janë për Komisionin Europian marrëdhëniet me Azerbajxhanin. Ne gjithashtu e vlerësojmë këtë marrëdhënie me Bashkimin Evropian. Azerbajxhani ka tashmë që prej vitit 2006 që ka filluar të luajë rolin e një partneri të besueshëm dhe strategjik për Evropën, me naftë. Kjo sepse tubacioni i parë i rëndësishëm i naftës që eksportoi naftën azere në tregjet e perëndimit e ka filluar punën tashmë që prej 16 vitesh. Dhe sigurisht që ajo çka ne jemi duke bërë tani, duke mbaruar korridorin jugor të gazit shërben për të demonstruar që Azerbajxhani qëndron partner strategjik për Evropën. Jo vetëm për sigurinë energjetike por gjithashtu për sigurinë e furnizimit dhe për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.

Për këtë arsye, deklarata e përbashkët e lëshuar nga Komisionerja Simson dhe Ministri jon i Energjisë, rikonfirmoi që Komisioni Evropian dhe Azerbajxhani ndajnë vlera në kontributin e përbashkët për të diversifikuar furnizimin me gaz natyror, veçanërisht duke u dhënë akses në gaz natyror disa shteteve që nuk e kanë pasur kurrë atë mundësi. Për këtë arsye, unë mendoj se ky projekt madhor i Korridorit të Jugut, i cili përshkon gjashtë shtete dhe ka një kosto prej 33 bilion dollarësh amerikan, ka një të ardhme të ndritur. Qëllimi ynë është të ndihmojmë të gjitha ato shtete qe janë në nevojë për burime alternative, burime të reja gazi, përmes rrugëve alternative. Ne jemi aty për ta. Sigurisht siç thotë dhe shprehja, duhen dy për të kërcyer tango, kështu që ne me kënaqësi po presim që të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe me vendet e interesuara të rajonit, përfshirë Ballkanin Perëndimor”.

Fjala e fundit, pra Azerbajxhanin do të jete aty për Europën?
“Patjetër dhe mendoj se Azerbajxhani e ka treguar deri më tani se sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie për ne sepse ne jemi pjesë e kësaj hapësire të madhe Evropiane dhe Azerbajxhani dëshiron t’i zgjerojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian jo vetëm ne fushën e energjisë. Tani, ne jemi duke finalizuar negociatat për marrëveshjen e re gjithëpërfshirëse mes Bashkimit Evropian dhe Azerbajxhanit, e cila do të mbulojë dhe fusha të tjera që janë të rëndësishme për të dyja palët, si ndërlidhja, transporti, etj. Mendoj se kjo marrëveshje do hapi një kapitull të ri në marrëdhënien tonë me Bashkimin Evropian”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb