I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, të mërkurën dhe të enjten do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd. Ai u takua me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi pas mesditës, me dyer të mbyllura, ndërsa në ambasadën amerikane u takua me përfaqësuesit e partive politike.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e presidentit Thaçi, thuhet se ai e falënderoi mysafirin duke theksuar se “që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën” dhe se “kjo shton besimin në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”, e cila siç thuhet, do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Në komunikatë thuhet se ambasadori Grenell, ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje dhe se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve”.

Presidenti Thaçi, është zotuar se Kosova do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, në një njoftim të lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se ambasadori Grenell uroi udhëheqësit e saj për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një arrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd.

“Zoti Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë e Kosovës”, thuhet në komunikatë sipas së cilës zoti Kurti tha se përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett në një postim në tëitter paralajmëroi se Kosovën do ta vizitojë edhe përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin, Matheë Palmer.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Serbinë në procesin e bisedimeve, kërkon punë në ekip: i dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi i posaçëm Departamentit të Shtetit, Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, shkroi ambasadori Kosnett, duke shpërndarë një fotografi të postuar nga ambasada amerikane ne Berlin, ku të dy zyrtarët e lartë amerikanë shihen teksa bisedojnë me zyrtarët gjermanë për situatën në Ballkan.

Pak ditë më parë presidenti Trump emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Në fund të muajit gusht, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo kishte emëruar zotin Matheë Palmer si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Emërimi i tyre, ndonëse kishte nxitur pikëpyetje ndër shumë vëzhgues, u mirëprit në Kosovë ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.

Vizita e tyre ndodhë në një periudhë kur në Kosovë po numërohen votat e fundit të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, në të cilat kryeson lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për postin e kryeministrit, ka paralajmëruar se mund t’i heqë tarifat ndaj mallrave serbe, por do t’i zëvendësojë ato me “masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë”.

Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Emërimi i të dërguarve amerikanë ka bërë që të hidhen ide që edhe Bashkimi Evropian të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, të cilat sipas praktikës së deritashme do të duhej të ndërmjetësohen nga Josep Borrell, ish ministër i jashtëm i Spanjës, një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: